Tabaku: Ndryshim i papërfillshëm në çmimin e energjisë elektrike
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku reagoi sot për vendimin e qeverisë për uljen e çmimit të energjisë në 8.5 lek/kWh, ndërsa kujtoi se në vitin 2013 çmimi ishte 7.4 lek/kWh.
“Sipas të dhënave, çmimi i energjisë elektrike në Shqipëri ka pasur një ndryshim të papërfillshëm, ndërkohë që 22 vende e kanë ulur çmimin e energjisë”, u shpreh Tabaku në një reagim në rrjetet sociale.
Sipas saj, “në vitin 2013, çmimi ishte 7.4 lek/kWh, ndërsa sot është 8.5 lek/kWh”.
“Si mund ta quajë qeveria këtë një ulje? Shqiptarët po paguajnë gjithnjë e më shumë për një sistem të padrejtë që nuk i vjen në ndihmë qytetarit”, shtoi ajo.
Më herët sot kryeministri Edi Rama në një reagim në rrjetet sociale iu përgjigj komentuesve lidhur me uljen e çmimit të energjisë elektrike.
Rama bëri të ditur se me këtë vendim Shqipëria bie në 8,5 lek/kWh, ndërkohë që Greqia është thuajse trefish 22 lek/kWh, Italia 33 lek/kWh, Gjermania 40 lek/kWh dhe më e ulëta është Hungaria, që prapë është rreth 20% më lart se Shqipëria.
