“Fitur 2025” në Madrid, Kumbaro: Shqipëria, destinacion kulinar i shijeve autoktone

Një vëmendje të veçantë në stendën e Shqipërisë në Panairin Ndërkombëtar “Fitur 2025” në Madrid, Spanjë, kanë tërhequr edhe produktet shqiptare.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale një video nga stenda e panairit ku janë ekspozuar prodhime autoktone shqiptare.

“Oferta turistike shqiptare në Panairin Ndërkombëtar “Fitur 2025” nuk mund të ishte e kompletuar për përvojat e ëmbla e të kripura të pasurisë sonë gastronomike dhe shpërthimet e aromave të verërave të ekselencës nga një traditë e pasur e vreshtarisë dhe ruajtjes së varieteteve autoktone, që i sollëm në Spanjë me partnerët tanë të Shoqatës Shqiptare të Agroturizmit”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro shprehu mirënjohje “për punën dhe idetë e jashtëzakonshme të sipërmarrësve të agroturizmit dhe shefave të kuzhinës, që këto pasuri i sjellin në tryezë duke ua shtuar vlerën e duke i ndarë me shumë dashuri edhe me turistët e huaj, ndërsa sot me krenari promovohemi si një destinacion kulinar i shijeve autoktone”.

Kulinaria shqiptare me identitetin e saj përbën një aspekt të rëndësishëm të turizmit që duhet zhvilluar dhe promovuar. Kuzhina jonë tradicionale ka një shumëllojshmëri shijesh dhe ka një menu mesdhetare, ku nuk mungojnë bulmetrat, vaji i ullirit, prodhimet e tokës dhe ato të detit. Turistët e shumtë që vizitojnë vendin tonë, ushqimet tona tradicionale i pëlqejnë shumë dhe janë një ndër gjërat e para në listën e të preferuarave prej tyre nga Shqipëria, përveç bukurive natyrore.

Përmes sloganit “Albania All Senses”, Shqipëria prezanton potencialet e saj në panairin “Fitur 2025” në Madrid, nën qasjen e praktikave të qëndrueshme të zhvillimit të turizmit.

Ky panair është i rëndësishëm për tërheqjen e vizitorëve nga Spanja dhe tregjet e Amerikës Latine, ndërsa marrin pjesë mbi 9 mijë ekspozues.