Presidenti i PSG-së, pas përmbysjes historike ndaj Manchester Cityt: Për pak më ra infarkt
Qyteti i Dritave u ndriçua edhe më shumë mbrëmë, kur Paris Saint-Germain mposhti me rezultatin 4-2 Manchester City-n.
Një ndeshje që skuadra e Luis Enrique nuk mund ta gabonte, por që filloi në mënyrën më të keqe, me miqtë në avantazh me dy gola në fillim të pjesës së dytë.
Ishin Dembele, Barcola, Neves dhe Ramos ata që firmosën një përmbysje që do të mbetet e paharrueshme edhe në sytë e presidentit Nasser al-Khelaifi.
"Thuajse më ra infarkt," pranoi ai në përfundim të ndeshjes. "Sinqerisht mendoj se është një nga emocionet më të mëdha që kam përjetuar që kur jam president i PSG-së.
Jam shumë krenar pas kësaj ndeshjeje të mrekullueshme.
Jo për faktin që fituam, por për mënyrën si luajtëm. Ishim në disavantazh 2-0 dhe e përmbysëm situatën duke fituar 4-2.
Kjo është shumë e vështirë kundër Manchester City-t, një skuadër e madhe, me një trajner të madh dhe lojtarë të mëdhenj.
Këtë do ta kisha thënë edhe sikur të kishim humbur."
