Prezantohet Kolo Muani te Juventus: Krenar që vesh këtë fanellë

U deshën disa ditë më shumë, por më në fund Randal Kolo Muani është bërë një lojtar i Juventusit. PSG-ja ka zgjidhur problemet me numrin e lojtarëve të saj të huazuar, dhe transferimi në formë huazimi i sulmuesit francez në Torino u zyrtarizua.

"Juventus Football Club S.p.A. njofton se ka arritur një marrëveshje me klubin Paris Saint Germain FC për blerjen, me huazim deri më 30 qershor 2025, të të drejtave për shërbimet sportive të lojtarit Kolo Muani Randal, me një kosto prej 1,0 milion euro, plus shpenzime shtesë prej 2,6 milionë eurosh.

Kostoja mund të rritet deri në një shumë jo më të madhe se 2,0 milionë euro gjatë kohëzgjatjes së kontratës, nëse arrihen objektiva të caktuar sportivë," thuhet në deklaratën e Juventusit.

Kolo Muani, i cili tashmë është stërvitur me ekipin, do të jetë në dispozicion të Thiago Motta-s që në ndeshjen e madhe të së shtunës kundër Napolit, ndërsa për Champions League do të duhet të presë fillimin e fazës me eliminim direkt.

Ai do të mbajë fanellën me numrin 20.

Pas zyrtarizimit, Kolo Muani dha deklaratat e para si lojtar i Juventusit për kanalet zyrtare të klubit.

"Jam shumë i lumtur që jam këtu, krenar që vesh këtë fanellë dhe që do të luaj përpara tifozëve tanë," tha ish-sulmuesi i PSG-së.

"Thiago Motta? Kemi pasur një bisedë të gjatë; ai më tregoi shumë për mënyrën e tij të të menduarit për futbollin dhe më bindi të firmos me Juventusin."

Lidhur me pozicionin e tij në fushë: "Nuk kam ndonjë preferencë, më mjafton të jem në fushë. Do të luaj aty ku do të vendosë trajneri. Por nëse duhet të zgjedh, e shoh veten si qendërsulmues

. Në atë rol jap më të mirën time."