Vrau kamarierin e “Fish City”, dënohet në mungesë me 17 vite burgim Llapushi “i forti” i Pogradecit
Erjon Llapushi, personi që konsiderohet si i forti i Pogradecit është dënuar me 17 vite burgim për akuzën e “Vrasjes me dashje” në dëm të viktimës, Gazmend Kurmaku. Në momentin e vrasjes, 50-vjeçari Kurmaku punonte si kamarier në restorantin “Fish City”.
Vendimi për dënimin e Erjon Llapushit është marë nga gjykata e Elbasanit, e cila deklaroi fajtor dhe dënoi me 17 vite burgim personin që prej më shumë se 3 vite vijon të jetë në kërkim.
Llapushi i është fshehur drejtësisë, ndërsa 1 javë më parë policia e Korçës dhe forcat special RENEA, organizuan një operacion policor në qytetin e Pogradecit, por nuk mundën ta lokalizojnë dhe arrestojnë llapushin.
Sipas dosjes hetimore, kamarieri, Gazmend Kurmaku, 50 vjeç, u godit me sende të forta dhe me grushte nga Erjon Llapushi, i cili kishte shkuar si klient, duke u ulur në një tavolinë të rezervuar.
Në atë moment kryekamarieri Gazmend Kurmaku, e ka njoftuar të riun se tavolina ku ishte ulur ishte e zënë, por Erjon Llapushi e ka kundërshtuar duke e ofenduar dhe më pas e ka goditur.
Si pasojë e sulmit fizik kamarieri, u rrëzua duke përplasur kokën me një pjesë betoni ku më pas përfundoi në gjendje kome, duke gjetur vdekjen në spital.
Pas këtij momenti dyshohet se Llapushi ka kërcënuar edhe punonjësit e tjerë dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të paditur, duke mos u arrestuar ende dhe sot nga policia.
