"Grup i strukturuar kriminal"/ Kalon për gjykim dosja e bandës së “Sterilizimit”, gjykim normal për Beqajn, i shkurtuar për Rrjepajn, Rrapajn dhe 6 të tjerët

Ka kaluar për gjykim dosja e “Sterilizimit” ku një ndër të akuzuarit është edhe ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj.

Beqaj, Rrjepaj dhe Rrapaj akuzohen për vjedhje duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit kriminal.

Lidhur me aferën me sterilizimin e aseteve kirurgjikale, ish-ministri Ilir Beqaj do të gjykohet në proces normal, ndërsa gjykim i shkurtuar është vendosur për ish-zv.ministrin Klodjan Rjepaj e biznesmenin Ilir Rrapaj

Po ashtu gjykim i shkurtuar është vendosur edhe për të akuzuarit e tjerë, konkretisht për: Saimir Kadiun, Marsela Serjanajn, Arben Gjatën, Naile Ajazin, Genc Byrazerin dhe Petro Mersinin.

Në seancë ish-ministri Ilir Beqaj është përballur sot me trupin gjykues dhe prokurorët, teksa nuk ka kursyer akuzat ndaj këtyre të fundit për procesin e sterilizimit. Beqaj e ka cilësuar procesin politik dhe akuzën ndaj tij një farsë të sajuar pasi u rrëzuan dy pretendimet e Prokurorisë për shpërdori detyre dhe korrupsion.

Sipas tij, gjyqtarja e çështjes në dhjetor me vendimin që mori është bërë pjesë e farsës dhe ka folur me gjuhën e Albana Vokshit dhe Petrit Vasilit. Beqaj nga ana tjetër shprehet se çfarëdo vendimi i ndikuar nga presioni publik dhe mediatik nuk mund ta njollosë emrin e tij dhe të qeverisë Rama.