Conceiçao: Pa tifozët klubi nuk ekziston, na duhet patjetër mbështetja e tyre ndaj Gironas
Milani luan kundër Gironas dhe synon të afrohet me top-8, për të siguruar një vend në play-off-in e Championsit.
Sergio Conceiçao rikthen nga minuta e parë Alvaro Morata-n, por ende nuk mund të llogarisë Christian Pulisic-in, i cili nuk është rikuperuar nga mbilodhja e pësuar në Como.
“Ky është kompeticioni më i rëndësishëm për klube në botë dhe skuadra të mëdha si Milani duhet të punojnë gjithmonë për të qenë aty.
Ne po punojmë për ta arritur këtë.
Për mua është gjithmonë kënaqësi të luaj në këtë kompeticion dhe duam të nderojmë historinë e Milanit.
Kjo do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme për të vazhduar përpara.”
Për mungesën e vazhdimësisë dhe agresivitetin: “Kjo është ajo që po kërkojmë. Nuk kam pse të mbrohem për atë që kam thënë: janë gjëra që më kanë ardhur nga brenda.
Edhe djemtë janë të vetëdijshëm për atë që duhet të bëjnë.
Duhet të shohim njëri-tjetrin në sy, të punojmë në fushë, të besojmë në atë që po bëjmë dhe pastaj ata e kuptojnë se çfarë mungonte për të ruajtur vazhdimësinë. Bukuria e futbollit është se gjithmonë mund të nisësh nga e para.
Pas një ndeshjeje të mirë duhet të përgatitesh për tjetrën, e njëjta gjë edhe pas një ndeshjeje jo aq të mirë: ky fillim i ri është një mundësi për përmirësim.”
Për merkaton: “Kam folur për ndryshimet te Juve-Milan sepse kjo është realiteti. Nesër do të jenë tre djem: Camarda, Zeroli dhe Bartesaghi.
Tifozët, të cilët janë shpirti i klubit, përtej simpative për mua ose për drejtuesit, duhet të na mbështesin.
Nuk duhet të jenë lojtari i dymbëdhjetë në fushë, por i pari. Pa tifozët, klubi nuk ekziston. Do të bëj gjithçka, por nesër mbështetja e tifozëve është jashtëzakonisht e rëndësishme: jemi në një moment të vështirë, me shumë mungesa, por kemi nevojë për të gjithë.
Ky është një apel që i drejtoj të gjithë njerëzve. Nuk jam i bukur, nuk jam simpatik, por tifozët duhet të mbështesin skuadrën, duhet të përkrahin lojtarët. Duhet ta them: shoh shumë ndarje në një klub historik si Milani. Është Milani ai që humbet.”
Për Pulisic: “Do të jetë me ne, por do të shohim pas stërvitjes së nesërme në mëngjes.
Nuk dua të rrezikoj që të mungojë një ose dy muaj. Do të shohim nëse do të jetë në stol, përndryshe më mirë të mos rrezikojmë. Gjithsesi, ai do të jetë me skuadrën.”
Për Pavlovicin: “Është në dispozicion të grupit, si në ndeshjet e mëparshme.
Nuk ka faj që nuk ka pasur minuta me mua, stërvitet gjithmonë mirë. Shpesh ka shumë dëshirë dhe del nga pozicioni i tij, dhe kjo nuk më pëlqen aq shumë. Jam i kënaqur me atë që po bën çdo ditë. Pastaj zgjedhjet janë të miat.”
