Ish-i i Liverpoolit sulmon Amorimin: Deklarata e tij do të përndjekë gjatë gjithë sezonit
Ruben Amorim bëri bujë, siç e pranoi vetë, duke deklaruar se skuadra aktuale e Manchester United është ‘më e dobëta në historinë’ e klubit.
Këto fjalë shkaktuan reagime të shumta, përfshirë atë të Jamie Carragher, komentator i Sky Sports dhe legjendë e Liverpool-it, i cili e kritikoi ashpër qëndrimin e trajnerit portugez.
‘Nuk e njoh historinë e Manchester United aq mirë sa Gary Neville (ish-lojtar i United), por kjo ishte një nga gjërat më të çuditshme dhe më qesharake që kam dëgjuar.
Pse do të bënte ai një koment të tillë? Nuk e di çfarë fiton me këtë… të gjithë e dimë që Man. United ka një skuadër të dobët, por tani po flasim për të pikërisht për shkak të asaj që tha trajneri’, u shpreh Carragher në programin Monday Night Football, duke shtuar se kjo deklaratë do ta ndjekë Amorimin gjatë gjithë sezonit.
‘Të gjithë e dimë që është një sezon i dobët, por kjo deklaratë do ta ndjekë për gjithë pjesën tjetër të sezonit. Kur ai e tha këtë, madje pranoi se po krijonte një titull për gazetat.
Pse do ta bënte një trajner këtë? Nuk do ta kuptoj kurrë’.
Duke folur si ish-lojtar i një klubi tjetër të madh anglez, Carragher analizoi pasojat që kjo deklaratë mund të ketë në moralin e ekipit të Manchester United:
‘Ajo që tha Amorim nuk ndihmon aspak në rritjen e besimit të lojtarëve. Nuk kam shumë simpati për ta, sepse kanë qenë objekt talljesh vitet e fundit.
Por, duke menduar për trajnerin, si mund të shkojë në dhomën e zhveshjes për të motivuar lojtarët dhe t’u japë shpresë se mund të fitojnë ndeshje, pasi ka thënë që janë skuadra më e dobët në historinë e klubit?!’
Në fund, Carragher dyshon se Ruben Amorim do të marrë ndihmë të madhe nga merkatoja e dimrit:
‘Ata duhet të investojnë në merkato, por në verë.
Ky treg i janarit është i vështirë, si për të blerë, ashtu edhe për të shitur. Mendoj se klubi duhet të ruajë investimet për verën.
Të gjithë e dinë që do të vuajnë shumë, por nuk mund ta harroj atë deklaratë. Mendoj se nuk i solli asnjë përfitim.’
