VIDEO/ Ktheu shtëpinë në laborator dr*ge, arrestohet 23-vjeçari në Tiranë
Një 23-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës dhe një tjetër është shpallur në kërkim, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin përgatisnin dhe shisnin doza me lëndë narkotike, të llojit kanabis sativa.
Policia e Tiranës bën të ditur se arrestimi i të riut është bërë gjatë operacionit “Collaboration 1”, ku është zbuluar edhe banesa e përshtatur për përgatitjen e dozave të kanabisit.
Është sekuestruar 5 kilogramë lëndë narkotike kanabis dhe 2 peshore elektronike.
Po ashtu, është arrestuar edhe një shtetas turk, të cilit iu gjet një sasi lënde narkotike kanabis që dyshohet se ia kishte blerë 23-vjeçarit.
“Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi S. H., 23 vjeç, banues në Tiranë dhe u shpall në kërkim shtetasi Xh. B. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta bashkëpunonin për sigurimin e lëndës narkotike, ndarjen e saj në doza dhe shitjen e tyre në qytetin e Tiranës.
Gjatë kontrollit në banesën e marrë me qira nga shtetasi Xh. B., shërbimet e Policisë kanë gjetur 5 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis dhe 2 peshore elektronike, që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

