EMRAT/ Vranë 2 vite më parë të moshuarin, tre personat merren të pandehur për vjedhje me pasojë vdekjen
Vrasja e dy viteve më parë e të moshuarit Çaush Shehaj në Patos të Mallakastrës, ka çuar tre persona në bankën e të akuzuarve si autorë të krimit të rëndë.
prokuroria e Fierit, akuzon dhe kërkon dënimin për ngjarjen të Ervis Halimit, Musa Gudonit dhe Fiorildo Çepeles.
Të tre akuzohen për “Vjedhje me pasojë vdekjen” e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit”.
I moshuari Çaush Shehaj, ndodhej në gjumë kur në datën 19 nëntor 2022 është sulmuar dhe goditur disa herë me shtratin e automatikut, duke i shkaktuar plagë, të cilat i kanë sjellë vdekjen në ambientet e spitalit të Fierit.
Kjo ishte hera e dytë që banesa e tij, sulmohej për tu grabitur, pasi rreth 6 muaj më parë, persona të maskuar I kishin marë një shumë të vogël financiare dhe armën e gjahut çifte, që 89-vjeçari e posedonte me leje nga policia.
I moshuari mbante në banesë një shumë prej 2 milion lekë dhe për këtë gjë është porositur dhe nga nipi i tij, që të largonte nga banesa sasinë e parave.
Nisur nga kjo këshillë, Çaush Shehaj, i ka larguar lekët nga shtëpia duke ja dhënë në ruajtje krushkut të vet. Por 6 muaj nga grabitja e parë u sulmua sërish.
Para se të kryenin krimin e rëndë, tre personat së bashku me të dashurën e Musa Gudos, kanë darkuar në një restorant në fshatin Portëz.
Mandej Halimi, Gudo dhe Çepele, kanë vënë në zbatim planin e sulmit për të grabitur banesën e Çaush Shehaj.
Ky i fundit ndodhej në gjumë kur është goditur mizorisht, ndërsa dy personat Ervis Halimi dhe Musa Gudo, i kërkonin se ku i kishte fshehur paratë e mandej e kanë lidhur në fytyrë me qese.
Për shkak të kësaj situate, i moshuari ka humbur ndjenjat ndërsa banorët e fshatit e kanë gjendur në mëngjes me shenja jete, duke e transportuar me urgjencë në spital, por pa mundur t’i shpëtojnë jetën.


