Ambasada e SHBA-së, mbështetje qendrave sociale që kujdesen për viktimat e trafikimit
E Ngarkuara me Punë e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nancy VanHorn vizitoi Njësinë Lëvizëse për Identifikimin e viktimave (MIU) të qendrës psikosociale Vatra, që ndodhet në Durrës.
Në një postim në rrjetet sociale ambasada e SHBA-së, theksoi se “kjo njësi është një aktor kyç në Mekanizmin Kombëtar të Referimit që lidh viktimat e trafikimit me strehat, kujdesin shëndetësor dhe ndihmën ligjore”.
“MIU-të punojnë me shërbimet e zbatimit të ligjit dhe ato sociale për të ofruar mbështetje dhe mbrojtje gjithëpërfshirëse për viktimat gjatë gjithë procesit të rimëkëmbjes, dhe Ambasada e SHBA është krenare të mbështesë punën e tyre”, tha ambasada e SHBA-së.
Janari është muaji i Parandalimit të Trafikimit të Qenieve Njerëzore. Trafikimi i qenieve njerëzore mund të ndodhë edhe nëse viktima fillimisht ka pranuar të ofrojë punë, shërbime ose akte seksuale me pagesë. Sjellja e trafikantit është ajo që ka rëndësi, jo pëlqimi paraprak i viktimës.

