EMRAT/ Arratisja nga qelitë në Elbasan, pezullohen 3 punonjës policie, 3 të tjerë nën hetim

Nazmi Liçi dhe Ervis Peqini, u arratisën në 31 dhjetor nga ambientet e Policisë së Elbasanit, për tu ndaluar disa orë më vonë.

Dy të arrestuarit për vjedhje, pasi ishin dërguar në gjykatë për masë sigurie, janë transportuar me makinë në ambientet e Drejtorisë së Policisë.

Por në një moment, ata kanë mundur të shpëtojnë nga mbikëqyrja e policsë dhe janë larguar me vrap.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, rajoni Elbasan-Korçë ka ekzekutuar sot masat e sigurisë për 6 punonjës policie.

Inspektor Dhimitër Doka, me detyrë Trupë shërbimi vend roje në dhomat e shoqërimit, në Komisariatin e Policisë Elbasan (Është bërë ndalimi me iniciativë më datë 31.12.2024 për veprën penale të ‘Shpërdorimi i detyrës’, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal)

Nënkomisar Theofan Telo, me detyrë Specialist për Rendin, pranë Komisariatit të Policisë Elbasan, për veprën penale të ‘Shpërdorimi i detyrës’, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal (Pezulluar).

Inspektore Andeta Liçi, me detyrë Ndihmës Specialiste, pranë Zyrës së Informacionit, në Komisariatin e Policisë Elbasan, për veprën penale të ‘Shpërdorimi i detyrës’, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal (Pezulluar).

Inspektor Avni Bahja, me detyrë Përgjegjës i dhomave të sigurisë, pranë DVP-Elbasan, për veprën penale të ‘Shpërdorimi i detyrës’, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal (Pezulluar).

⁠Inspektor Avni Hamzallari, me detyrë Trupë shërbimi vend roje, në DVP-Elbasan, për veprën penale të ‘Shpërdorimi i detyrës’, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal (Proceduar ne gjendje te lire).

Inspektor Azem Bardhi, me detyrë Përgjegjës i dhomave të sigurisë, pranë DVP-Elbasan, për veprën penale të ‘Shpërdorimi i detyrës’, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal (Proceduar ne gjendje te lire).

Njoftimi i policisë:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan - Korçë) ka ekzekutuar urdhërin e Prokurorisë për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka caktuar masën e sigurisë ndaluese “Pezullim i ushtrimit të një detyre a një shërbimi publik” për punonjësit e policisë të dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” si më poshtë vijon;

➡️ N/Komisar Th.T., me detyrë Specialist për rendin pranë Komisariatit të Policisë Elbasan

➡️ Inspektor A.L., me detyrë Ndihmës Specialiste pranë Zyrës së Informacionit në Komisariatin e Policisë Elbasan

➡️ Inspektor A.B., me detyrë Përgjegjës i dhomave të sigurisë pranë DVP Elbasan.

Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore të kryera nga AMP, dyshohet se këta punonjës policie, në mospërmbushje të rregullt të detyrave të tyre funksionale, me veprime dhe mosveprime, nuk kanë marrë masa për parandalimin e arratisjes nga dhomat e sigurisë / shoqërimit të Komisariatit të Policisë Elbasan, të shtetasve N.L. dhe E.P., ndaj të cilëve Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, të dyshuar për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.

Në lidhje me këtë ngjarje, më datë 31/12/2024 Drejtoria Rajonale e AMP-së ka bërë ndalimin me iniciativë për veprën penale “Shpërdorim i detyrës” ndaj punonjësit të policisë Inspektor Dh.D., me detyrë Trupë shërbimi vend roje në dhomat e shoqërimit në Komisariatin e Policisë Elbasan, ndërsa janë proceduar në gjendje të lirë për "Shpërdorim i detyrës" edhe punonjësit e policisë Inspektor A.H., me detyrë Trupë shërbimi vënd roje në DVP Elbasan dhe Inspektor A.B., me detyrë Përgjegjës i Dhomave të Sigurisë në DVP Elbasan.

Vijojnë veprimet hetimore për nxjerrjen e përgjegjësive për punonjës të tjerë të policisë në DVP Elbasan.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave mbikëqyrëse, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën [email protected].
Për ankesa me Whatsapp 0694151511