FOTO+VIDEO nga vendngjarja/ Vrasja e 81-vjeçarit në Tiranë: Ky është viktima, policia nuk i gjeti portofolin
Policia e Tiranës njoftoi ditën e sotme se hetimet për vdekjen e 81-vjeçarit Xhemal Meta, kanë marrë një kthesë tjetër.
Dyshohet se i moshuari, i cili u gjet i pajetë në oborrin e banesës së tij në Zall-Bastar dy ditë më parë, është vrarë me sende të forta.
Xhemal Meta prej vitesh jetonte i vetëm në Shëngjin të Vogël, pjesë e njësisë administrative Zall-Bastar, ndërsa familjarët jetojnë në Tiranë.
Hetuesit dyshojnë se i moshuari mund të ketë pasur ndonjë konflikt me banorë të zonës për punët e fshatit, por nuk përjashtohet mundësia që të jetë goditur me qëllim për t’u vjedhur.
Burimet thonë se atij nuk i është gjetur portofoli dhe disa sende të tjera që mbante me vete, megjithatë shtëpia është gjetur e paprekur.
Të pyetur për ngjarjen dhe dyshimet që mund të kenë, familjarët i thanë policisë se i moshuari nuk ka pasur konflikte me njeri dhe nuk dyshojnë tek asnjë prej personave që jetojnë në afërsi, pasi me ta kanë edhe lidhje gjaku.
Aty jetojnë vetëm 4 familje dhe janë pyetur të gjithë, por deklarojnë se nuk kanë asnjë dijeni për ngjarjen.
Policia po kryen disa veprime me synim gjetjen e autorit.

