Tirana në 'rënie të lirë', e përmbys Bylisi dhe e eliminon nga Kupa e Shqipërisë

Tirana nuk sheh dritë në fund të tunelit: pas rezultateve të dobëta në kampionat, eliminohet edhe nga Kupa e Shqipërsë.

‘Gjëmën’ ia bën Bylisi, që e mposht 2-1 në përmbysje.

Një rezultat ndoshta i papritur, por që rikonfirmon krizën e thellë të Tiranës.

Goli i shpejtë i Tiranës i shënuar nga Emanuel Ernest dha përshtypjen e rremë se bardheblutë do ta arrinin lehtësisht kualifikimin.

Kundërpërgjigjja e ekipit mallakastriot ishte shpejtë teksa në minutën e 22-të Marku goditi saktë me kokë duke shtangur Selmanin.

Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-1, pavarësisht tentativave të të dyja skuadrave për të shënuar golat të tjerë.

Gjatë pjesës së dytë rasti më i volitshëm për Tiranën u shënua në shtesë, kur Hasanbelli nuk lejoi Prengajn të mbyllte ndeshjen.

Rezultati nuk ndryshoi në minutat e mbetura, kështu që për të përcaktuar fituesin u desh të luheshin dy pjesë nga 15 minuta.

Në minutën e 116-të ndodhi ajo që më pak pritej: Bylisi kap në befasi Tiranën dhe arrin të shënojë me Rucin golin e fitores, duke bërë që të shpërthente festa në stolin e miqve.

Tirana e pati të pamundur për të shënuar golin e barazimit në minutat e fundit të shtesës, duke pranuar verdiktin e fushës: eliminim e saj nga Kupa.