Instituti i Gjeoshkencës: Vështirësi në transportin rrugor nga ulja e temperaturave dhe ngricat

Instituti i Gjeoshkencës informoi se pasditen e sotme dhe nesër, 15 janar, zonat verilindore, qendrore dhe juglindore të territorit do të përfshihen nga reshjet e dëborës.

“Reshjet e dëborës të pasuara nga ulja e temperaturave dhe ngricat mund të krijojnë probleme të ndryshme dhe vështirësi në transportin rrugor”, theksoi IGEO.

Sot pasdite dhe nesër, e mërkurë 15, priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër ndërsa në qarqet e tjerë priten reshje të dobëta.

Në verilindje, qendër dhe juglindje në lartësitë mbi 700 m nga niveli i detit reshjet do të jenë në formë dëbore.

Nesër, e mërkurë 15 janar, temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:
në bregdet: 4 / 11 °C; në vendet e ulëta: 2 / 9 °C; në vendet malore: -7 / 1 °C.

Era sot pasdite dhe nesër pritet të fryjë e lehtë deri mesatare, ndërsa në veri dhe në bregdet deri e fortë.