ANALIZA/ Bankat drejt rrjetit evropian - Antarësimi në SEPA ul komisionet, sfidë teknologjia

Aplikimi në qershor për t’u bërë pjesë e zonës evropiane të pagesave SEPA dhe pranimi zyrtar në nëntor shënuan nje nga zhvillimet kryesore ekonomike të vitit 2024.

Ky hap historik e vendos Shqipërinë brenda një rrjeti financiar që përfshin 36 vende evropiane, duke sjellë ulje të komisioneve për dërgesat familjare dhe për bizneset.

Secili institucion financiar duke nisur nga prilli 2025 duhet të aplikojë individualisht, ndërsa operimi pritet të nisë në 5 tetor.

Eksperti i ekonomisë, Elvin Meka, shprehet se ky proces do të jetë një garë mes institucioneve për të aplikuar dhe ofruar të parat këto shërbime.

Ledia Bregu, drejtoreshë e Departamentit të Sistemeve të Pagesave thekson rolin koordinues dhe mbikëqyres të Bankës së Shqipërisë në këtë proces.

Bankat me kapital të huaj janë më të përgatitura për këtë hap, pasi institucionet meëmë janë pjesa e SEPA-s.

Përgatitja do të vijojë me probleme teknike që mund të hasin bankat.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm i anëtarësimit në SEPA është edhe përforcimi i masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Sipas ekspertit Meka reduktimi i kohës së transaksioneve është një sfidë për bankat që të monitorojnë, nëse transaksionet mund të jenë të dyshimta.

Komisionet për dërgesat ose ata që marrin para nga vendet e BE-së pritet të jenë tri herë më të ulëta.

Anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA nuk është vetëm një hap teknik, por edhe historik, duke shënuar një integrim më të thellë financiar me Evropën.