Katiaj: Në 2025-n, me rëndësi investimet për sektorët kyç të ekonomisë. Garancia sovrane nuk funksionoi tek fasonët
E ftuar në emisionin “Alert”, moderuar nga Granit Sokolaj në “Ora News”, lidhur me temën "Ekonomia në 1 vit, çfarë presin bizneset?”, Elisabeta Katiaj, Nënkryetare e DHBDSH dhe Eksperte Kontabël, diskutoi mbi pritshmëritë për vitin 2025 dhe rëndësinë e planit të integrimit.
Ajo theksoi se viti 2025 do të shënojë një fazë të re rritjeje për ekonominë, për shkak të implementimit të planit të rritjes, i cili ka përfshirë një dialog të suksesshëm me qeverinë gjatë vitit 2024.
Katiaj shtoi se, pavarësisht se 2025 do të jetë një vit elektoral, plani i rritjes do të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm në ekonominë shqiptare, për shkak të fondeve të ofruara përmes granteve dhe kredive të buta. Ky plan fokusohet në tre prioritete: ekonominë e gjelbër, ndërkombëtarizimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, dhe konsolidimin e ligjit për investimet e huaja dhe strategjinë e investimeve strategjike.
Ajo, gjithashtu përmendi rëndësinë e paketës së re për zonat e lira ekonomike dhe përpjekjet për planifikimin dhe orientimin e ndihmës ekonomike evropiane, që do të fillojë të zbatohet gjatë vitit 2025.
Katiaj shpreson që plani i masave të jetë konkret, i orientuar drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe pa asnjë element selektiv.
Në lidhje me sektorin e fasonëve, ajo shpjegoi se ndikimi i kredive sovrane nuk ka dhënë rezultate pozitive deri më tani.
Sektori i fasonëve ka një cikël të vlerës së shtuar që zgjat nga 3 deri në 5 vjet dhe për këtë arsye është e nevojshme të krijohet një cikël ri-investimi, sidomos në aspektin e teknologjisë dhe krijimit të markave vendase.
NDIQNI EMISIONIN “ALERT” NË “ORA NEWS”

