Industria e Bimëve Mjekësore, Gjoka: Ka humbje të fuqisë punëtore dhe kostot janë më të larta në Rajon

I ftuar në emisionin “Alert” të moderuar nga Granit Sokolaj në “Ora News”, Kryetari i Shoqatës së Industrisë së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike (IBMA-AMAP), Filip Gjoka foli për situatën e industrisë së bimëve dhe erëzave mjekësore, duke theksuar vështirësitë që ka kaluar sektori.

“Industria e fasoneve është po aq e vështirë sa sektori i bimëve dhe erëzave mjekësore. Viti 2024 ka qenë shumë i vështirë për shkak të zhvlerësimit të euros dhe dollarit, si dhe largimit të fuqisë punëtore të grumbulluesve nga zonat rurale drejt zonave urbane. Më e keqja është se ky fenomen është drejtuar edhe drejt Bashkimit Evropian, çka ka sjellë mungesë grumbulluesish në zonat e thella malore dhe ka vështirësuar punësimin në fabrika”, tha ai.

Gjoka vazhdoi duke shtuar se: “Pavarësisht se në fabrika kemi marrë punëtorë nga India, tani presim të vijnë edhe nga Bangladeshi dhe Filipinet. Megjithatë, problemi i madh për industrinë tonë mbetet shitja e lëndës së parë dhe mungesa e investimeve. Kemi kosto shumë të larta në Shqipëri krahasuar me vendet e rajonit, për shkak të naftës, energjisë elektrike dhe krahut të punës”.

Ai përmendi, gjithashtu, se edhe pse ky vit ka qenë i vështirë, kompania e tij nuk ka mbyllur me rritje, siç ishte parashikuar. Ky është viti i dytë që kompania nuk arrin rezultatet e dy viteve të kaluara, kur kishte një rritje prej 3-4%.

“Në vitet e kaluara, kishim pasur rritje edhe deri në 12%, por këtë vit, situata ka qenë më e vështirë”, shtoi Gjoka.

NDIQNI EMISIONIN “ALERT” NË “ORA NEWS”