Shqipëri-Kosovë, marrëveshje për garantimin e furnizimit me energji elektrike

Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit të Kosovës (KOSTT) nënshkruan sot një marrëveshje përmes së cilës synohet përmirësimi i qëndrueshmërisë dhe funksionimit të sistemit elektroenergjitik.

Marrëveshja për ofrimin e shërbimeve të Rezervës Manuale për Restaurimin e Frekuencës (mFRR) për vitin 2025, e nënshkruar nga administratori i KESH-it, Erald Elezi, si dhe kreu i KOSTT-së, Evetar Zeqiri siguron energjinë e nevojshme për balancimin e sistemit elektroenergjitik, duke përforcuar rolin e KOSTT-it si një zonë rregulluese e pavarur dhe pjesë e Bllokut Rregullues të përbashkët me Shqipërinë.

Gjithashtu, në kuadër të përpjekjeve për rritjen e kapaciteteve dhe efikasitetit të sistemit, sot u nënshkrua edhe marrëveshja me Operatorin e Sistemit të Transmetimit (OST) në Shqipëri për ofrimin e shërbimeve të Rezervave Automatike (aFRR) e cila nga ±25MW do të jetë ±40MW.

Kjo marrëveshje do të kontribuojë në përmirësimin e përgjigjes së sistemit ndaj ndryshimeve të papritura të frekuencës, duke garantuar një funksionim më të qëndrueshëm dhe fleksibël të rrjetit të përbashkët.

Gjatë nënshkrimit, u theksua rëndësia e këtyre marrëveshjeve si një hap i mëtejshëm drejt sinkronizimit të përpjekjeve të Kosovës dhe Shqipërisë në kuadër të rrjetit të Evropës Kontinentale.

Ky angazhim i përbashkët është thelbësor për garantimin e stabilitetit të furnizimit me energji elektrike dhe përmirësimin e besueshmërisë së sistemit.

Kosova dhe Shqipëria synojnë të krijojnë një sistem energjetik më të sigurt dhe të qëndrueshëm për të dy vendet dhe rajonin.

Ky bashkëpunim pasqyron frymën e unitetit dhe bashkëpunimit të ngushtë mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke dëshmuar përkushtimin e përbashkët për të përmbushur standardet më të larta ndërkombëtare në sektorin e energjisë dhe për të avancuar të ardhmen energjetike të rajonit.