A është mësimi i psikologjisë humbje kohe?

Daniel Kahneman ishte ndoshta psikologu më i shquar në botë. Ai vdiq në mars të këtij viti. Fitues i Çmimit Nobel dhe profesor i nderuar në Universitetin Princeton, ai mund të konsiderohet gjithashtu si edukatori kryesor i kësaj fushe. Libri i tij "Thinking, Fast and Slow" ka qenë gjithmonë në krye të listave të librave më të shitur ose nuk është larguar shumë prej tyre që nga publikimi i tij në vitin 2011. Megjithatë, pavarësisht reputacionit të tij si profesor, Kahneman e ka konsideruar hapur mundësinë që mësimi i psikologjisë të jetë një humbje e plotë kohe. 

Këtë realizim nuk e ushqen dyshimi apo depresioni, por të dhënat. Për Kahneman-in, veçanërisht një eksperiment klasik ka ndikuar në këtë përfundim. Në vitin 1975, psikologët socialë Richard Nisbett dhe Eugene Borgida nga Universiteti i Miçiganit i treguan studentëve për eksperimentin e famshëm (dhe paksa joetik) të “ndihmës”.

Në atë studim, disa subjekte u futën në kabina të ndara dhe të errëta në afërsi të njëra-tjetrës dhe iu kërkua të bisedonin me pjesëmarrësit e tjerë për jetën dhe problemet e tyre përmes një citofoni. Secili pjesëmarrës kishte dy minuta për të folur.

Deri këtu, gjithçka dukej e thjeshtë. Por qëllimi i eksperimentit nuk ishte thjesht të krijohej një forum për ndarjen e ndjenjave; ai kishte për synim të testonte se si njerëzit do të reagonin nëse do të mendonin se dikush prej tyre po vdiste.

Në një moment, një aktor që ishte pjesë e eksperimentit, i vendosur në një nga kabinat, simuloi një krizë epileptike ndërsa fliste përmes citofonit, thirri për ndihmë dhe më pas “ra pa ndjenja”. 

Duke qenë se njëri nga pjesëmarrësit dukej të ishte në rrezik të madh, mund të mendohet se subjektet në kabinat e tjera do të kishin nxituar për t’i ardhur në ndihmë. Shumica prej tyre nuk e bënë. 

“Vetëm katër nga 15 pjesëmarrësit iu përgjigjën menjëherë kërkesës për ndihmë. Gjashtë prej tyre nuk dolën fare nga kabina e tyre, ndërsa pesë të tjerë dolën vetëm pasi ‘viktima e epilepsisë’ me sa duket u mbyt,” përshkroi Kahneman. 

Pas detajimit të procedurës së eksperimentit të “ndihmës”, Nisbett dhe Borgida u treguan studentëve video të dy personave që supozohej të kishin marrë pjesë. Videot tregonin një pamje të thjeshtë dhe miqësore të pjesëmarrësve të pretenduar. Pas shikimit të videove, studentëve iu kërkua të gjenin nëse individët e paraqitur kishin ndihmuar apo jo viktimën e krizës epileptike. Gjysma e studentëve u informuan për rezultatet e zymta të eksperimentit të “ndihmës” dhe gjysma tjetër jo. 

Tani, mund të mendoni se studentët që u njohën me rezultatet pesimiste të eksperimentit do të kishin më shumë gjasa të parashikonin se individët në video nuk i ndihmuan viktimën e krizës epileptike. Por jo. Në kundërshtim me faktet, të dy grupet mbajtën një mendim pozitiv për natyrën njerëzore. 

“Për mësuesit e psikologjisë, implikimet e këtij studimi janë dekurajuese,” shkroi Kahneman. “Kur u mësojmë studentëve tanë për sjelljen e njerëzve në eksperimentin e ndihmës, presim që ata të mësojnë diçka që nuk e kanë ditur më parë; dëshirojmë të ndryshojmë mënyrën se si ata mendojnë për sjelljen e njerëzve në një situatë të caktuar. Ky qëllim nuk u arrit në studimin e Nisbett-Borgida dhe nuk ka asnjë arsye të besohet se rezultatet do të kishin qenë të ndryshme nëse ata do të kishin zgjedhur një eksperiment tjetër psikologjik befasues.”

Interesant është fakti që Nisbett dhe Borgida gjetën një mënyrë për t’ua përcjellë studentëve mesazhin e eksperimentit të “ndihmës”: t’u tregonin anekdota bindëse. Ata i treguan një grupi të tretë studentësh procedurën e eksperimentit të “ndihmës,” u treguan videot, dhe më pas thanë se të dy personat në video nuk kishin ndihmuar viktimën e krizës. Me këtë informacion, pjesëmarrësit parashikuan saktë proporcionin e ulët të njerëzve që ndihmuan viktimën e krizës epileptike. 

Pra, mund të mos jetë se psikologjia është humbje kohe, por fakti që informacionet e përgjithshme dhe statistikat e vërtetuara nuk mund të triumfojnë mbi anekdotat e fuqishme. Në shumë mënyra, kjo është edhe më deprimuese. / Big think - Syri.net