Gëzuar nga "Ora News": Hareja e Krishtlindjes depërtoftë në thellësi të zemrave tuaja
Kisha na fton që, gjatë festave, familjet e të gjithë njerëzit të tregohen më të vëmendshëm ndaj tjerëve, ndaj të varfërve, ndaj atyre që vuajnë në trup e në shpirt. Shpesh, në atmosferën kur të gjithë festojnë e gëzohen, vuajtja bëhet edhe më e padurueshme.
Prandaj, sipas Kishës katolike, besimtarët nuk duhet të vonohen asnjë çast, kur është fjala për të ndihmuar njeriun, që vuan, po duhet mishëruar Dashurinë Hyjnore në gjestet tona të bamirësisë njerëzore, për të rrezatuar Dritën e Jezusit Foshnje.
Një porosi shumë e bukur e Krishtlindjes thotë kështu:
Çdo herë kur dy njerëz e falin njëri tjetrin, ndodh Krishtlindja.
Çdo herë kur e tregoni mirëkuptimin për fëmijën tuaj, ndodh Krishtlindja.
Çdo herë kur dikush vendoset të jetojë në mënyrë të ndershme, ndodh Krishtlindja.
Çdo herë kur lind një fëmijë, ndodh Krishtlindja.
Çdo herë kur mundohesh t’ia japësh jetës sate kuptimin e ri, ndodh Krishtlindja.
Çdo herë kur e shikon dikë me sy të zemrës, me buzëqeshje, ndodh Krishtlindja.
Sepse kështu lind dashuria. Kështu lind paqja. Kështu lind drejtësia.
Kështu lind shpresa. Kështu lind gëzimi. Kështu lind Krishti Zot.
Ndize, pra dritën e paqes e dritën e shpresës për të gjithë: për familjet, që mezi arrijnë të sigurojnë një jetë dinjitoze, për njerëzit që e kalojnë festën në burg, në spital në vetmi e në harresë.
Familja e "OraNews" ju uron ta kundroni vazhdimisht shembullin e Familjes Shenjte të Nazaretit, për t’i bërë tuajat virtytet e saj e për t’i zbatuar në jetën e përbashkët të përditshme, me dashuri e në dashuri, sipas porosisë së Krishtit Fëmijë.
Ndaj kjo Krishtlindje qoftë për të gjithë, ngjarje dashurie, gëzimi, shprese, paqeje! Për shumë Mot Krishtlindja nga Familja e Madhe "Ora News"!
View this post on Instagram

