"Do ta marrim vesh ku fle lepuri"/ Beti Njuma: Veliaj shndërroi Këshillin Bashkiak në konferencë personale!
Anëtarja e Këshillit Bashkiak dhe gazetarja e njohur, Beti Njuma, ka reaguar ashpër përmes një statusi në Facebook lidhur me sjelljen e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit. Ajo e ka cilësuar veprimin e tij si të turpshëm dhe në shkelje të ligjit, duke kritikuar shndërrimin e mbledhjes në një konferencë personale për të adresuar çështjet e tij me drejtësinë.
Sipas Njumës, mbledhjet e Këshillit janë për hallet e qytetarëve dhe jo për problemet e kryetarit. Ajo vuri në dukje mungesën e kurajos së Veliajt për të përballuar pyetjet e gazetarëve, duke preferuar duartrokitjet e këshilltarëve të tij.
Njuma shprehu dyshime mbi natyrën e hetimit dhe ndalimin e Veliajt nga SPAK, duke aluduar për një kurth të sajuar. Për të, kjo ngjarje është një tjetër shembull i mungesës së transparencës dhe manipulimit politik. Ajo mbylli mesazhin me një paralajmërim të qartë: e vërteta nuk do të qëndrojë e fshehur për shumë gjatë.
"Ajo që bëri Erion Veliaj në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak është e turpshme dhe në shkelje të ligjit. Siç edhe e thashë para se kryetari nën hetim nga Spak-u të merrte fjalën, mbledhja e Këshillit Bashkiak është për hallet e qytetarëve dhe jo për hallet e Veliajt me drejtësinë.
Në mënyrë të pacipë e tinzare, Erion Veliaj abuzoi duke e shndërruar sallën në një konferencë shtypi. Po të kishte këllqe, Veliaj të kishte folur para gazetarëve dhe t’u jepte përgjigje pyetjeve të tyre jo para këshilltarëve që duartrokitën si shokët e Byrosë kur fliste Enver Hoxha.
Sa për atë kurthin e sajuar nga një person anonim, kam dyshimet e mia SPAK-u nuk të mban 5 orë për fantomasin Nesti Angoni që nuk ekziston. Do ta marrim vesh ku fle lepuri, apo më mirë Harabeli i Erionit!"
