Integrimi në BE, Peleshi: Shqipëria përmbyll hapjen e të gjithë grup-kapitujve në 2027-n
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi tha se, Shqipëria po ecën me shpejtësi në procesin e integrimit në Bashkimin Europian që synon të finalizohet në 2030.
Duke marrë fjalën në Kuvendin e Shqipërisë, Peleshi tha se, “dy ditët e fundit kanë qenë historike për Shqipërinë, sepse është hapur procesi për një grup-kapitujsh të rinj, në kuadër të negociatave me BE”.
Ai theksoi se, procesi po ecën me shpejtësi dhe pritshmëritë janë që deri në vitin 2027, Shqipëria të ketë përmbyllur hapjen e të gjithë grup-kapitujve.
“Shqipëria në BE në 2030-n nuk është një ëndërr, por realitet. Tashmë procesi i integrimit është një plan i certifikuar dhe po punohet në partneritet me Komisionin Europian dhe BE-në”, u shpreh Peleshi.
Ai e vlerësoi këtë si një lajm të gëzuar për të gjithë shqiptarët dhe që duhet të gëzojë të gjithë forcat politike dhe është një proces i shumëpritur për të gjithë shoqërinë shqiptare.
