Hoti: Në rrugën e Lurës nuk po punohet, Balluku: Do të dorëzohet sipas afateve kontraktuale

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, tha sot në seancën plenare në Kuvendin e Shqipërisë, në përgjigje të deputetes së PD-së, Elda Hoti se qytetarët në Lezhë e Mirditë i dinë mirë investimet që qeveria ka bërë në këto qytete.

“Për rrugën Milot-Balldren sot është hapur gara zyrtarisht dhe është bërë publike. Edhe shkodranët me këtë rast mirë është që të na dëgjojnë edhe nga Parlamenti.

Nuk po gatuhet ndonjë çorbë se nuk e di pse i keni qejf këto çorbat. Po i kthehem asaj që thatë që ika unë nga qarku dhe mora makineritë.

E ndjej që keni në grup një dëshirë shumë të madhe të më ngrini vlerat që unë paskam edhe makineritë dhe i çoj ku të dua”, replikoi ajo me deputeten e Partisë Demokratike, Elda Hoti e cila pretendoi që në rrugën e Lurës nuk po punohet ndërsa u premtua përfundimi i saj në vitin 2023.

Sipas Ballukut, rruga e Lurës është kontratë nga FSHZH-ja. “Nuk ka nevojë fare që të më tregosh se si është rruga, sepse e kam bërë atë rrugë shumë herë dhe e njoh shumë mirë edhe zonën.

Njoh edhe kompleksitetin e asaj zone dhe aty po punohet sepse është kontratë e FSHZH-së dhe do të dorëzohet siç u dorëzua para pak ditësh ura e Cernecit deri në Librazhd”, vijoi Balluku.

“Unaza e Lurë-Mirditës është një tjetër vepër ku po punohet dhe do të dorëzohet sipas afateve kontraktuale.

Sa i përket investimeve në Lezhë, pak javë më parë së bashku me KFV-në dhe ambasadorin gjerman dhe ambasadorin Gonzato të BE, kemi qenë aty për të nisur një tjetër proces të rëndësishëm sa i përket kanalizimeve në Lezhë.

Një javë më parë kam qenë në nënstacionin e Lezhës për të inspektuar punimet që po bëhen aty për rritjen e kapaciteteve të shpërndarjes të energjisë elektrike”, tha Balluku.

Zëvendëskryeministrja, i quajti akuzat e deputetes Hoti të pavërteta, ndërsa puna në kantiere vazhdon dhe është lehtësisht e verifikueshme.

“E vlerësoj faktin që dilni këtu dhe thoni të pavërteta, por vetëm kështu ju më jepni mua mundësinë të përsëris ato punë që kemi bërë.

Çfarë kemi bërë në Lezhë dhe në Mirditë janë të gjitha në kantiere të verifikueshme dhe qytetarët kanë votë në këtë vend dhe në 11 maj, siç ka ndodhur në tre mandatet e fundit ju do të merrni përgjigjen e duhur.

Ndërkohë që ju flisni dhe hidhni baltë ne punojmë, kjo është diferenca e madhe mes nesh”.