Milani i thotë lamtumirë ëndrrës së titullit, Fonseca shpërthen kundër arbitrit: Mungon respekti ndaj nesh

Milani humbi 2-1 në fushën e Atalantës dhe, me shumë gjasë, i ka thënë lamtumirë çdo ëndrre për titull. E mposhtur nga një gol i shënuar në minutën e 87-të nga Ademola Lookman, skuadra kuqezi tani është 12 pikë larg bergamaskëve, të cilët të paktën deri të dielën mbrëma do të udhëheqin renditjen e Serie A.

Pas ndeshjes, situata ishte veçanërisht e tensionuar, me Fonseca që sulmoi ashpër arbitrin. Episodi që zemëroi trajnerin portugez ishte goli i dyshimtë, sipas tij, i Charles De Ketelaere: "Kam heshtur gjithmonë, ndërsa të tjerët flasin, por të hesht dhe të shoh çfarë ndodhi te goli i parë është e pabesueshme… Nuk ka asnjë dyshim për atë episod. E di që puna e arbitrit është e vështirë, por jam i lodhur duke parë gjithmonë të njëjtat gjëra. Kundër Milanit nuk ka kurrë dyshime, nuk ka respekt ndaj nesh".

Pak minuta më vonë, erdhi edhe përgjigja e Gasperinit: "Ka një përpjekje për të folur për diçka tjetër dhe jo për ndeshjen. Nuk pata këtë ndjesi, goli i CDK ishte i mrekullueshëm, ai kërceu shumë lart. Nuk mbaj mend episode të tjera të kontestuara, përveç ndonjë rivënieje anësore. Jam absolutisht i bindur që e merituam fitoren dhe jemi shumë të lumtur për këtë 3-pikësh".