NBA rikthehet pas gjashtë vitesh në Kinë, humbjet nga kjo mungesë, 378 milionë euro
Pas gjashtë vitesh, NBA do të rikthehet në Kinë. Liga amerikane e basketbollit njoftoi se Brooklyn Nets dhe Phoenix Suns do të luajnë dy ndeshje parasezonale në “Venetian Arena”, në Makao.
Ndeshjet do të zhvillohen më 10 dhe 12 tetor.
NBA-ja nuk ka organizuar ndeshje parasezonale në Kinë që nga viti 2019, kur Daryl Morey, atëherë drejtor i përgjithshëm i Houston Rockets, shprehu mbështetje në rrjetet sociale për protestat kundër qeverisë në Hong Kong.
Edhe pse komisioneri i NBA-së, Adam Silver, vendosi të mos ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj Morey, CCTV, transmetuesi shtetëror i Kinës, pezulloi transmetimin e ndeshjeve të NBA-së.
Kjo shkëputje, sipas ligës amerikane, shkaktoi një humbje të ardhurash të vlerësuar rreth 378 milionë euro.
“Venetian Arena” është pjesë e një kompleksi që i përket “Las Vegas Sands Corp”, kompani e drejtuar nga Patrick Dumont, i cili në fund të vitit 2023 bleu ekipin e NBA-së, Dallas Mavericks.
