Manaj: Ndihem keq, Sivasspori s’ka ma rinovuar kontratën, kam luajtur me temperaturë 39
Rey Manaj, i cili shkëlqeu me 26 gola dhe 3 asistime në 45 ndeshje me fanellën e Sivassporit, paralajmëron ndryshim ambienti, ndoshta që në merkaton e janarit.
"Galatasaray, Fenerbahçe, Beşiktaş, Trabzonspor, këto janë klubet më të mëdha të Turqisë. Mund të luaj në cilindo prej tyre, dhe kush nuk do të donte? Besoj se mund të bëj diferencën.
Në fakt, ndër këto katër ekipe, kam një ekip të zemrës”.
Më tej, sulmuesi shqiptar shpjegon se, pavarësisht kontributit të madh që ka dhënë për Sivassporin, nuk ka marrë një ofertë për rinovimin e kontratës.
“Për Sivassporin kam bërë gjithçka. Kam dalë në fushë në Gaziantep me temperaturë 39 gradë, pasi mora dy serume dhe pa fjetur natën.
Pas dëmtimit tim, u ktheva të luaj pa u shëruar plotësisht. Tani jam më shumë sesa thjesht një lojtar për këtë klub.
Nuk e them unë këtë, e thonë ata që janë brenda klubit.
Por, shiheni vetë, as nuk kanë bërë një rinovim kontrate. Ndihem keq.
Sepse, në kushte normale, situata duhet të përcaktojë nëse do të qëndroj apo të largohem. Le të shohim çfarë do të ndodhë në janar, do t'ju them."
