Reprezalja e Speciales ndaj figurave të UÇK-së, Zejnaj: Aksionet e Gjykatës si “gjueti shtrigash” në dëm të Kosovës
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) tha të enjten se është duke kryer operacione të vazhdueshme në Kosovë në lidhje me hetimet që është duke i kryer për vepra penale kundër pengimit të drejtësisë.
Më herët, Faton Klinaku nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) tha se janë arrestuar tre persona, përfshirë ish-shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Bashkim Smakaj, dhe ish-kryetarin e Komunës së Malishevës, Isni Kilaj. Këtë të enjte, është bastisur shtëpia e ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçit.
Për të kuptuar më shumë se çfarë ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotmë, politologu Argjend Zejnaj në një intervistë për “Ora Neës” u shpreh se Gjykata Speciale ndodhet në një proces të përshpejtimit të procedurave për të mbyllur sa më parë procesin e gjykimit të luftës dhe nisjen e një procesi të mirëfilltë dialogu me Serbisë dhe Kosovës.
“Të gjithë këta persona të arrestuar, të ndaluar, apo të bastisur kanë qenë pjesë e procesit që po zhvillohet nga Gjykata Speciale.
Profesorin Kuçi nuk kanë nevojë fare ta arrestojnë pasi ai shumë shpesh ndodhet në Hagë personalisht për të ndjekur procese gjyqësore që zhvillohen atje.
Kilaj ka qenë njëri nga të akuzuarit, që është proceduar, është liruar dhe tani u arrestua prapë, vëllai i dëshmorëve Fazliu edhe ai ka qenë pjesë e procesit.
Pra, e gjithë kjo është në vazhdën e asaj që Gjykata Speciale po tenton të tregojë se procesi është në vazhdim dhe nuk do të ketë tolerime edhe në atë që siç e quajnë ata në pengim të drejtësisë, frikësim të dëshmitarëve, e gjërave të tjera që pretendon gjykata.
Për Kosovën kjo nuk është e mirë pasi po del sikur të jetë një gjueti shtrigash, duke i bërë presion kryesisht spektrit politik të ish-krerëve dhe ushtarëve të UÇK-së, që është një kategori apo shtresë shumë e ndjeshme”, u shpreh ndër të tjera Zejnaj.
Nga ana tjetër, politologu vlerësoi qëndrimet e shefes së diplomacisë evropiane, zonjën Kallas, mbi kthimin e vëmendjes së Brukselit në rajon, e veçanërisht në çështjet mes Kosovës dhe Serbisë.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME POLITOLOGUN ARGJEND ZEJNAJ


