Mësuesit protestë në Kosovë, kërkojnë rritjen e pagave e nënshkrimin e kontratës kolektive
Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK) ka mbajtur një protestë të mërkurën në Prishtinë, duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës zbatimin një kontrate kolektive, si dhe rritje pagash për mësimdhënësit.
Ata protestuan pranë ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke bërë thirrje gjithashtu për përmirësimin e kushteve të mësimdhënësve.
“Qeveri realizoi kërkesat tona, parandalo veprime të tjera sindikale”, shkruhej në një pankartë të gjerë që protestuesin mbanin në ballë të protestës.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, paralajmëroi grevë të përgjithshme, nëse Qeveria e kryeministrit Albin Kurti nuk shpreh vullnet për të diskutuar për kërkesat e tyre.
“[Ministrja e Arsimit Arbërie] Nagavci, në vend se të ulet e të na i dëgjojë kërkesat tona, ajo na etiketon kinse ne po bëjmë fushatë zgjedhore.
Fajtorët kryesorë janë Albin Kurti, [ministri i Financave] Hekuran Murati, dhe Nagavci, sepse po të kishte dialog, sot ne nuk do të protestonim por do të ishim në klasa...Ne nuk përjashtojmë grekë të përgjithshme, por po ndodhi fajtor është Albin Kurti”, tha Jashari gjatë protestës.
Ata i bënë thirrje ministres së arsimit Arbërie Nagavci t’i pranojë për të biseduar për kërkesat e tyre, duke thënë se “kur mungon dialogu, mungon demokracia”.
Varësisht nga niveli arsimor ku punojnë dhe nga përvoja e punës, mësimdhënësit paguhen nga 580 deri në 610 euro.
Nga viti 2014 janë nënshkruar tri kontrata kolektive ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sindikatës së Arsimit, por ato nuk janë zbatuar kurrë plotësisht.
Kontrata e fundit kolektive, e nënshkruar në vitin 2021, është ndërprerë në mënyrë të njëanshme nga Ministria e Arsimit në nëntor të vitit të vitit 2022, me arsyetimin se nuk është menaxhuar siç duhet.
Ministria e kishte vlerësuar asokohe se kontrata kolektive ka pasur “probleme serioze ligjore” dhe e kishte cilësuar të pavlefshme.
Por, Ministria ishte zotuar vitin e kaluar se do të nënshkruate kontratë të re kolektive pas negociatave me Sindikatën e Arsimit.
Kontrata kolektive parasheh disa përfitime financiare për punonjësit e arsimit - nga pagesa për shujtat ushqimore apo për shpenzimet e udhëtimit deri te paga shtesë pas pensionimit.
Me ligj, këto përfitime duhet të paguhen nga komunat, të cilat janë punëdhënës të punëtorëve të arsimit. Por, qeveritë e deritashme qendrore nuk u kanë dhënë atyre buxhet shtesë për këtë qëllim.
Kështu, punonjësit që nuk kanë përfituar, u janë drejtuar gjykatave, dhe kur rasti është përmbyllur në favor të tyre, ata kanë arritur ta nxjerrin kompensimin nga buxheti i komunës./REL
