Pas sulmit terrorist në Zubin Potok, KFOR-i shton masat e sigurisë: Për të mbrojtur infrastrukturën e Kosovës
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR ka shtuar masat e sigurisë në Zubin Potok. Përmes një postimi në "Facebook", KFOR ka njoftuar se pas sulmit terrorist, të premten e 29 nëntorit, kanë shtuar masat për të mbrojtur infrastrukturën kritike të Kosovës.
“Pas sulmit në kanalin e ujit në Zubin Potok, Kosovë, misioni KFOR i udhëhequr nga NATO ka rritur masat e sigurisë për të mbrojtur infrastrukturën kritike. Komanda Rajonale Lindje mbetet e gatshme për të ofruar mbështetje sigurisë, logjistike dhe inxhinierike për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, ka shkruar KFOR-i në Facebook.
KFOR e ka dënuar ashpër sulmin në tubacionin e ujit në Zubin Potok, duke thënë se sulm pati një ndikim të rëndë në furnizimin me ujë dhe energji elektrike në veri të Kosovës.
Ndërkohë, autoritetet e Kosovës kanë deklaruar se sulmi është kriminal e terrorist dhe vjen nga bandat e orkestruara nga Beogradi. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se sulmi ka pasur synim dëmtimin e infrastrukturës “mbase edhe më të rëndësishmen që kemi”.
Nga ky sulm nuk u raportua për ndonjë të lënduar. Të arrestuar janë tetë persona, ndërsa vetëm dy prej të arrestuarve kanë dalë para Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe kanë nga një muaj paraburgim.
