Albin Kurti shkon në Bosnje-Hercegovinë, reagon Dodik: Provokim dhe fyerje për serbët

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti udhëton sot drejt Sarajevës ku nesër pritet të marrë pjesë në një konferencë rajonale. Presidenti i Republikës Serbska të Bosnjes, Milorad Dodik reagoi menjëherë duke thanë se Kurti përbën një kërcënim për stabilitetin.

“Kjo vizitë është një provokim i hapur, një fyerje për të gjithë serbët dhe një konfirmim se Sarajeva po përdoret si platformë për zbatimin e politikave që nuk kanë të bëjnë me paqen, bashkëpunimin dhe respektimin e të drejtave. Vizita e Albin Kurtit në Sarajevë nuk është një kontribut për stabilitetin rajonal”, tha Dodik.

Ai u shpreh se Republika Sërbska nuk do të heshtë në lidhje me këtë takim.

“Është një përpjekje tjetër për të delegjitimuar popullin serb dhe për të poshtëruar Republikën Srpska. Ne nuk do ta pranojmë këtë! Sarajeva duhet të turpërohet që është kthyer në një skenë për lavdërimin e atyre që janë më përgjegjës për vuajtjet e serbëve”, tha Dodik.

Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova nuk e njohin njëra-tjetrën për shkak të kundërshtimit të entitetit të Republikës Sërpska, të udhëhequr nga presidenti prorus i saj, Dodik, i cili është nën sanksione amerikane për minimin e Marrëveshjes së Dejtonit. /V.Plus