Berisha: PD do të bëjë gjithçka, së bashku me ju, për të rrafshuar murin e patriarkisë, një dhunues më i madhi i lirive dhe të drejtave njerëzore sot

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË KONFERENCËN PËR PJESËMARRJEN E GRAVE NË PROCESET POLITIKE

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka përshëndetur Konferencën për Pjesëmarrjen e Grave në Proceset Politike dhe Fitoren e Zgjedhjeve organizuar në Tiranë nga Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë në bashkëpunim me Fondacionit Jarl Hjalmarson.

Gjatë fjalës së tij, kreu i demokratëve, Sali Berisha u shpreh se Shqipëria ka një fatkeqësi të madhe, pasi ka kryeministrin më mizogen të Europës.

‘Shqipëria kë një fatkeqësi të madhe, ka kryeministrin më mizogen të Europës. Shpërthimet mizogenike të të cilit nuk përmbahen as në publik në parlament, jo vetëm ndaj deputeteve të opozitës, por siç është parë në mënyrë të përsëritur edhe ndaj ministreve të tij, çka të bëjnë të besoj se ky njeri në mbledhjet e kabinetit sillet si dikur diktatori boksier Idi Amin, që grushtonte ministrat e tij’, u shpreh kryedemokrati.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në fjalën e tij në konferencën për Pjesëmarrjen e Grave në Proceset Politike dhe Fitoren e Zgjedhjeve organizuar nga Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë  u shpreh se PD qëndrimin e saj ndaj grave dhe vajzave e konsideron një qëndrim themelor të emancipimit tonë shoqëror, të shpalosjes së të gjitha potencialeve njerëzore të pashtershme.

FJALA E PLOTE:

Mirëmëngjesi dhe një përshëndetje të përzemërt, për ju Albana, për të gjitha zonjat dhe zonjushat e pranishme, deputete drejtuese të PD, por në mënyrë të veçantë unë dua të përshëndes praninë në këtë aktivitet tuajin shumë të rëndësishëm, të Margareta Cederfeldt, deputete dhe anëtare e Komisionit të Jashtëm të parlamentit të Mbretërisë së Suedisë.

Zonjën Hanna Ëerner, anëtare e Këshillit të qarkut, zonjës Alva-Li Borgs, menaxhere e projektit të fondacionit Jarl Hjalmarson Foundation.

Tu shpreh mirënjohjen time të thellë për praninë e tyre në këtë aktivitet, një mbështetje shumë e çmuar për Lidhjen Demokratike të Gruas në Shqipëri dhe për Partinë Demokratike.

I dërgoj një përshëndetje të përzemërt, mikeshës tonë të çmuar, zonjës Eva Gustavson.

Kam ndjekur me interes punimet e kësaj konference, e cila vërtetë mblidhet në një klimë elektorale, por mblidhet për një problem themelor të PD-së dhe shoqërisë tonë, rolin, potencialin e madh të gruas në zhvillimet demokratike në Shqipëri dhe në fitoren elektorale të zgjedhjeve, por dhe në drejtimin e Shqipërisë.

Të nderuara zonja, beteja juaj për afirmimin gjithnjë e më të madh të rolit tuaj përcaktues në shoqëri dhe në vend, është një betejë e vështirë, është një betejë që përballet me murin mijëra vjeçar të patriarkisë, i cili defakto është sot dhunuesi më kryesor i lirive dhe të drejtave të njeriut në Shqipëri, Europë dhe botë.

Beteja kundër këtij muri, beteja për rrëzimin e tij është nga betejat më të rëndësishme për emancipimin njerëzor dhe ju me përpjekjet tuaja, jepni një kontribut shumë të çmuar.

Vitet e qeverisjes socialiste, defakto narkosocialiste kanë qenë vite të një regresi të vërtetë në shumë aspekte lidhur me problematikat e mëdha të Shqipërisë, të shoqërisë tonë në raport me gratë dhe vajzat.

Është fakt i pamohueshëm se në rast se u arrit që diskriminimi financiar të marrë një goditje të mirë dhe hendeku financiar në paga mes burrave dhe grave të zbresë nga36 % në 17.8%  në vitin 2013, pra të afrohet shumë me atë që ekziston në BE, përsëri pas vitit 2013, ky hendek u thellua pa ndërprerë dhe sot ka shkuar aty ku kemi qenë.

Po kështu dhuna ndaj grave ka njohur një rritje të papranueshme. Në këto 10 vite, në kundërshtim me çdo traditë shqiptare, janë vrarë 160 gra, ndërsa të cilat një pjesë e mirë në mbrojtje ligjore. Kurse aktet e dhunës janë rritur me mi 50%.

Por nëse ndiqni dhe  sigurisht që shqiptarët e ndjekin, qëndrimin dhe diskursin e përditshëm, fjala grua, dhunë ndaj saj, barazi e saj me burrin, luftë kundër diskriminimit, politik, social, ekonomik janë zhdukur nga fjalori i qeveritarëve, mjerisht edhe ministreve të Shqipërisë.

Zëri i tyre mungon në çdo rast kur ato duhet të jenë avokate kryesore të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Zëri i tyre mungon edhe në rastin e dhunës ekstreme ndaj grave. Është e papranueshme që me gjithë numrin e konsiderueshëm të tyre në parlament, ndonëse kanë sjellë rezoluta për të dënuar opozitën nuk kanë sjellë një rezolutë për të mbrojtur dhe sanksionuar të drejtat e grave dhe të fëmijëve, në atë parlament.

Në pamje të parë kabineti i Shqipërisë ka numër më të madh se shumë e shumë kabinete të tjera, zonja dhe zonjusha. Por Shqipëria kë një fatkeqësi të madhe, ka kryeministrin më mizogen të Europës. Shpërthimet mizogenike të të cilit nuk përmbahen as në publik në parlament, jo vetëm ndaj deputeteve të opozitës, por siç është parë në mënyrë të përsëritur edhe ndaj ministreve të tij, çka të bëjnë të besoj se ky njeri në mbledhjet e kabinetit sillet si dikur diktatori boksier Idi Amin, që grushtonte ministrat e tij.

Nëqoftëse vini re, dhe sigurisht mund të mos vini re, prania e atyre zonjave në qeveri është një akt pozitiv dhe e kemi përshëndetur, por kur sheh se ato sillen njëlloj si të ishin në një kabinet sulltani, duke i bërë elozhe publike, njëra Skëndërbe, e tjera Zeus, etj., atëherë kupton presionin e madh mizogenik që përjetojnë ato zonja në kabinet dhe në mjediset e tjera.

U ndala në këtë moment, jo për të bërë politikë, por nuk mund të mohohet se mizogenia e Edi Ramës, është në vetvete një problem madhor, për gratë, vajzat, shoqërinë shqiptare.

Partia Demokratike qëndrimin e saj ndaj grave dhe vajzave e konsideron një qëndrim themelor të emancipimit tonë shoqëror, të shpalosjes së të gjitha potencialeve njerëzore të pashtershme.

Është një anë pozitive sot, falë karakterit të tyre dhe të familjeve tyre, ato dominojnë në shkollat e larta të vendit.

Testi i Flint, vitet e fundit në mënyrë të përsëritur fakton se intelekti tek gratë dhe vajzat është më  i avancuar se sa tek burrat dhe djemtë, çka do të thotë se promovimi, lufta kundër murit të patriarkisë, krijimi i mundësive për shpalosjen e të gjithë potencialit të vajzave dhe grave në shërbim të shoqërisë, është një domosdoshmëri e madhe.

Ju garantoj se, ne do të bëjmë gjithçka së bashku me ju, në betejën pa ndërprerë kundër çdo forme diskriminimi, në një betejë që duhet të rrafshojë murin e patriarkisë, një dhunues më i madhi i lirive dhe të drejtave njerëzore sot.

Ju uroj suksese dhe ju falënderoj shumë për kontributin shumë të çmuar që jepni në Partinë Demokratike, në parlament dhe në shoqërinë tonë.

Faleminderit dhe suksese.