Bardhi: Rezoluta e PPE i gjen shqetësimet e opozitës legjitime dhe të drejta

Partia Demokratike bëri të ditur se Asambleja Politike e Partisë Popullore Europiane (EPP) ka miratuar mesditën e sotme rezolutën ku shpreh shqetësimet e saj lidhur me gjendjen aktuale politike në Shqipëri.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, shkruan se rezoluta e miratuar, rikonfirmon edhe njëherë ndërkombëtarisht që të gjitha shqetësimet e ngritura nga opozita në Shqipëri, për gjendjen dramatike ku ndodhet vendi, janë legjitime dhe të drejta.

Sipas Bardhit në rezolutën e miratuar, PPE ndër të tjera shpreh shqetësimet e saj lidhur me gjendjen e integritetit institucional që reflektohet në korrupsion endemik dhe mungesën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme sipas standardeve të OSBE-së.

Bardhi nënvizon më tej se Partia Popullore Evropiane (EPP) u bën thirrje autoriteteve kombëtare të respektojnë angazhimet e Shqipërisë për të drejtat kushtetuese dhe standardet demokratike ndërkombëtare, duke siguruar një mjedis të drejtë dhe të hapur për të gjithë aktorët politikë dhe pa persekutim dhe frikësim të opozitës, veçanërisht me afrimin e zgjedhjeve;

Sipas Bardhit, në rezolutë EPP shpreh mbështetjen e palëkundur për përpjekjet e Partisë Demokratike drejt anëtarësimit në BE dhe përkushtimin e saj për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“I kërkon autoriteteve shqiptare që të zbatojnë menjëherë reformat e kërkuara nga BE për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe për të siguruar një gjyqësor të pavarur dhe të paanshëm, pa ndërhyrje politike; Thekson se zgjedhjet e lira dhe të ndershme përbëjnë shtyllën themelore të qeverisjes demokratike, duke kërkuar garanci për pavarësinë e administratës publike nga partia në pushtet”- shkruan Bardhi.