VIDEO/ Berisha ndryshon programin e PD-së: Përmbysje të vërtetë në shpërndarjen e të ardhurave dhe pasurive publike

Kryedemokrati Sali Berisha shpalli ndryshimin rrënjësor në programin e Partisë Demokratike. Në takimin virtual me gazetarët ai tha se do sjellë një përmbysje të vërtetë në shpërndarjen e të ardhurave dhe pasurive publike.

FJALA E BERISHËS

Mirëdita dhe përshëndetje gazetarëve të pranishëm në sallë. Përshëndetje të gjithë qytetarëve që ndjekin këtë takim periodik të shtypit.

Sot, jam para jush për të shpallur publikisht para shqiptarëve një ndryshim rrënjësor në programin e Partisë Demokratike.

Ky ndryshim rrënjësor i programit të PD parashikon një ndërhyrje të fuqishme, një përmbysje të vërtetë në shpërndarjen e të ardhurave dhe pasurive publike në Shqipëri.

Të dashur qytetarë dhe qytetare, shoqëria shqiptare sot është e ndarë me një hendek të tmerrshëm midis një pakice që pasurohet në mënyrë të papërmbajtur dhe pothuaj një shumice tjetër që varfërohet frikshëm gjithnjë e më shumë.

Parti e iniciativës së lirë, nuk beson kurrë PD se duke luftuar iniciativën e lirë, mund të luftojë varfërinë.

Por ajo që PD dhe qeveria e saj ka në dorë, të përmbysë skemën e gjertanishme të shpërndarjes së të ardhurave dhe pasurive publike në mënyrë që shqiptarët në vendin e tyre të kenë një jetë normale, pavarësisht nga aktiviteti i tyre.

Sot Shqipëria është vendi me përqindjen më të lartë në Europë, dhe ndër më të lartat në botë, të varfërisë së popullatës, por e vërteta është edhe të mjerimit, të cilat nga një shpërndarje çnjerëzore e të ardhurave, nga plaçkitja masive e tyre dhe burimeve natyrore, ka arritur që varfëria e skajshme apo mjerimi të rritet nga 1.04 në 3.4 përqind, pra të rritet më shumë se tre herë, dhe varfëria relative të kalojë në 46 përqind dhe kjo është një sirenë alarmi, klithme që buçet në pothuajse gjysmën e vatrave shqiptare.

Kemi shpallur para jush minimumin jetik 200 euro për çdo shqiptar.

Kemi shpallur dyfishimin e rrogave dhe pensioneve gjatë mandatit të parë.

Rritjes së pensioneve mbi bazën e 200 eurove të minimumit jetik.

Kemi shpallur heqjen e TVSH-së për ushqimet bazë.

Por, analiza e të gjitha këtyre masave, ballafaqimi i tyre me realitetin, tregon se janë të domosdoshme një seri masash të tjera.

Rikujtoj shqiptarët se italianët karshi nesh kanë nivelin e varfërisë ndën 780 euro, por u rikujtoj gjithashtu se italianët blejnë ushqimet në dyqanet e tyre më lirë se shqiptarët.

Më lirë se shqiptarët, të cilët vetëm për ushqimet shpenzojnë 40 përqind të të ardhurave të tyre.

Pra, unë nuk them se shqiptarët do arrijnë nivelin e italianëve, jo, nuk është ky synimi.

Por synimi është një rishpërndarje tërësisht tjetër e të ardhurave dhe pasurive natyrore.

Në qoftë se sot 80 përqind e të ardhurave shkojnë për t’u vjedhur nga qytetarët në investime kapitale, kjo shifër do të harrohet.

Përparësi absolute do ketë investimi tek njeriu dhe kapitali njerëzor, tek rroga, pensionet, minimumi jetik dhe një përpjekje e madhe për të shuar sirenat e mjerimit.

Nuk mundet shteti kurrë t’i shesë me të njëjtin çmim energjinë elektrike atij që merr 180 euro me atij që merr 7 mijë si Dumani me kompani.
Ky disproporcion përbën një krim.

Ky diskriminim përbën një krim.
Dumanët marrin sa 70 pensionistë dhe pensionisti paguan energjinë elektrike me çmimin që paguan Dumani.
E njëjta gjë është me ujin.

E njëjta gjë është me shërbimin shëndetësor.
E njëjta gjë është me transportin.
E njëjta gjë është me të gjitha shërbimet publike.

Një skemë e re e shpërndarjes së të ardhurave, në të cilën shteti do marrë përsipër sasinë jetike të energjisë për një familje, që nuk ka, dhe ku do përfshihen edhe ata që janë me rrogë minimale.

A ka gjë më të padrejtë se sot të dalësh me tezën se do ulim çmimin e energjisë, që Balluku të bëhet edhe më e pasur, që Edi Rama të bëhet edhe më pasur, që Dumani të paguajë më pak dhe pensionistët të paguajnë njëlloj si ata?
A ka gjë më të padrejtë që ai që rrit tre fëmijë, të trajtohet njëlloj si ai që rrit një fëmijë?

Këto pabarazi çnjerëzore do marrin fund.
Ndaj dhe një grup ekspertësh shqiptarë dhe ndërkombëtarë do përgatisin për PD-në skemën e re të shpërndarjes së të ardhurave dhe pasurive publike.

Kjo është skemë emergjence.
Kur dëgjon burra dhe gra të moshuar që kanë shkrirë jetën e tyre në punë dhe tani tregojnë se me pension nuk mbyllin dot jo muajin, po as 15 ditë, nuk mbyllin dot më shumë se dy vakte në ditë, kjo nuk është kurrë Shqipëria e tyre, kjo është Shqipëria që i ndëshkon ata.

Narkoekonomia është bërë një ndëshkim i madh për të varfrit e këtij vendi.
Narkoekonomia dhe i kërkoj guvernatorit të Bankës së Shqipërisë të informojë Bankën Europiane, të gjitha bankat se narkoeurot po mbysin ekonominë shqiptare.

Të shpallë publikisht sundimin e narkoeuros në tregun monetar shqiptar.
Nuk mund të spekulohet kjo, jo turizmi, jo ajo.
A e dini se euro sot është 98 lekë? Kjo do të thotë 40 përqind zhvlerësim i remitancave që u dërgojnë emigrantët familjeve të tyre.

Dhe me cinizëm ekstrem, Edi Rama kur u leverdis, i llogarit me euro, dhe kur nuk i intereson, i llogarit me lekë.
Banka e Shqipërisë duhet të shpallë emergjencën kombëtare të intoksimit, të sofokimit të ekonomisë nga narkoeurot dhe të jetës së qytetarëve nga narkoekonomia.

Kontejnerët, kamionët që vijnë me erë, po bëjnë miliarderë trafikantë dhe oligarkë, po rrënojnë dhe varfërojnë gjithnjë e më shumë shqiptarët.
Po vrasin pasivisht vendet e punës, sepse kanë shkatërruar eksportin, i cili është gjeneratori kryesor i prodhimit.