Kushtetuesja e rrëzoi, reagon Berisha: Vendimi është antikushtetues. Çështja do shkojë në Strasburg
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuesem, e cila rrëzoi pretendimet e tij se SPAK duhej të merrte autorizim nga Kuvendi për caktimin e masave të sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim të daljes jashtë vendit”.
Lidhur me këtë, në fjalimin e tij nga ballkoni, Sali Berisha tha se vendimi i Gjykatës ndaj tij është i turpshëm dhe se është një vendim që dëshmon shkallën më të ulët të gjykimit dhe të përgjegjësisë, sipas tij dhe se çështja do shkojë në Strasburg.
Berisha: Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme ju guximtareve dhe guximtarëve të pamposhtur, misionarëve të kauzës së drejtë të çdo shqiptari.
Një përshëndetje të përzemërt oratorëve të kësaj tribune që me fjalën e lirë i kallin tmerrin narkodiktaturës, ndriçojnë mendjen dhe zemrat e mbarë shqiptarëve.
Një përshëndetje të veçantë atyre qindra e mijëra burrave dhe grave, nënave, baballarëve, nxënësve, të rinjve që protestuan sot për vrasjen makabër në derë të shkollës të 14-vjeçarit Martin Cani, të cilin Edi Rama, Korba e Kovidit, Manastirliu, Spirogjoka e Parlamentit, e vranë për së dyti.
E vranë për së dyti me qëndrimet e tyre çnjerëzore, pa pikë ndjenjash.
Kur një deputet kërkoi që parlamenti të ngrihej në një minutë heshtje për yllin që e vranë në publik, Martin Canin, Korba e Kovidit me Lubinë dhe Stërlubinë, zgërdhiheshin sikur të mos ishin nëna, sikur të mos kishin fëmijë, sikur të mos ishin prindër.
Zgërdhiheshin sepse morali, shpirti i tyre është gërryer nga vjedhjet, vjedhjet, çdo ditë që u bëjnë shqiptarëve.
Edi Rama, për vrasjen tek dera e shkollës të 14-0vjeçarit të pafajshëm, të mrekullueshëm, gjeti fajtor TikTokun dhe mediat në një histeri të tmerrshme u lëshuan pas TikTokut, pa pasur asnjë fakt të vetëm që Martini i pafajshëm kishte shkëmbyer qoftë dhe një fjalë të vetme në TikTok me vrasësin e tij.
Miqtë e mi, vrasja e Martin Canit është një vrasje që ngjalli dhimbje të madhe, edhe zi në çdo vatër familjare.
Të çosh djalin në shkollë, të ta therin tek dera e shkollës, është e tmerrshme.
Por edhe më i tmerrshëm bëhet ky krim kur shteti lan duart si Ponc Pilati.
Kur megjithëse ky krim ka tronditur Shqipërinë, Korba e Korrupsionit nuk ngrihet të nderojë me një minutë heshtje nxënësin që i morën jetën në shkollë dhe përpiqen në mënyrë më çnjerëzore, më cinikë, Eureka, TikToku, dhe vrap lëshojnë udhëzime, dhe gjetën se Australia po e ndalon TikTokun dhe o burra tani, ta mbulojmë me TikTokun krimin e shëmtuar horror në zemër të Tiranës, pas një zënie që zgjati një javë, që përfshiu me dhjetëra nxënës.
Shkolla nuk ekziston, ekziston TikToku, ministria nuk ekziston, ekziston TikToku, kryekrimineli nuk ekziston, ekziston TikToku. Ai e paska fajin!
Ndjehem i rënduar dhe i lënduar shumë që detyrohem t’i rikthehem, por nuk mund të poshtërohet kështu shpirti i një 14-vjeçari.
As dhimbja e një familje.
As dhimbja e të gjithë atyre që e përjetuan me dhimbje të madhe, më të keqen vrasje që kanë dëgjuar ndonjëherë në shkollë, në vendin më të sigurt pas vatrës familjare.
Edi Rama pasi u vërviti medieve TikTokun, kërkon të lajë duart nga çdo përgjegjësi. Del dhe na mban fjalime, sallatë maqedonase për gjuhën.
Paraqitet në kongresin e gjuhës dhe dy lektorët kryesorë ishin Rama dhe Ogerta, korba e korrupsionit. Nuk ndodhte kurrë kjo në komunizmin e diktaturës së Enver Hoxhës.
O burra me çdo kusht të mbulojmë krimin makabër që tregoi se dora vrastare godet kudo, godet në rrugë, godet tek pragu i derës, godet tek pragu i shkollës, godet në spital, godet në çdo vend, sepse ky vend është në duart e krimit.
Sepse shteti dhe krimi janë një ndërmarrje e përbashkët.
Të dashur miq, edhe njëherë përgëzoj të gjithë ata qytetarë që protestuan fuqishëm.
Dënoj qëndrimin kriminal të zyrtarëve, edhe ata zyrtarë që hapnin dritaret dhe kërcënonin, iu bëj thirrje protestuesve domate, vezë, t’ua gjuajnë këtyre kriminelëve të pashpirt, të cilëve vjedhja e qytetarëve ka bërë që të konsiderojnë çdo qytetar tmerr, armik për ta.
Të dashur miq, para se të vinit këtu, kryetarja e Gjykatës Antikushtetuese doli në konferencë shtypi.
Doli në konferencë shtypi dhe informoi një vendim të turpshëm, një vendim që dëshmon shkallën më të ulët të gjykimit dhe të përgjegjësisë.
Një vendim që është i barabartë me një të një gjykate fakti.
Një vendim që Gjykatën Kushtetuese e shpall jokushtetuese, antikushtetuese.
Edhe njëherë miq, ndjehem krenar që mbrojta Kushtetutën, qëndrova kundër puçit që i bëri parlamentit një grusht horrash në organizatën kriminale të Skapit të partisë dhe gjykatësja me 5 mbiemra.
Mbrojtja Kushtetutën, ndarjen e pushteteve nga një puç i ulët.
Kurse Gjykata Kushtetuese, në një vendim të turpshëm, quan joproporcional, nuk bën fjalë se i merret pushteti parlamentit me vendimin ekstrakushtetuese, ekstraligjor.
Një kapitull tjetër i turpit, i paralajmëruar 10 ditë më parë nga Ulsi Manja me dokumente se Rama na njoftoi për vendimin që do merrej.
Sigurisht miqtë e mi, çështja është në Strasburg, por është e turpshme të dërgohet një vendim i tillë.
Por në narkoshtet, siç e cilësoi rezoluta e 109 partive politike, nuk ka ligj, nuk ka Kushtetutë.
Narkoshteti ka vetëm vullnetin e narkodiktatorit dhe ky është vendimi i turpshëm që informoi sot, vendim në të cilin gjykata tregoi nivelin e saj mjeran.
Shkeli Kushtetutën.
Shkeli ligjin e vet.
Shkeli ligj e vet si skllevër të diktatorit të narkoshtetit.
Pra, është radha jonë.
Është radha jonë.
Është radha jonë.
Me vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese damkosi në mënyrë të përsëritur veten e vet.
Njerëz pa karakter, pa moral ligjor, mercenarë.
Por të gjitha këto do shkojnë në Strasburg, në gjyqin e Europës, në gjykatën që mbron konventën evropiane të të drejtave të njeriut.
Dhe ata nuk shkruajnë siç bëjnë këta këtu, që sillen si zuzarë ndaj Kushtetutës, ndaj ligjeve.
Nuk shpallin antikushtetues mosmarrjen e lejes në parlament, por thonë se nuk ishte proporcion.
Sigurisht këta janë gjykatës me probleme shumë madhore, por është radha jonë.
Është radha jonë.
Është radha jonë.
Ne do fitojmë!
