FOTO/ Kongresi i Manastirit në dy monedha numizmatike

Plot 116 vjet më parë, më 22 nëntor 1908, mbylli punimet Kongresi i Manastirit, i njohur ndryshe edhe si Kongresi i Alfabetit.

Në historinë e gjatë të përpjekjeve kombformuese të popullit shqiptar, Kongresi i Manastirit është padyshim një ngjarje e një rëndësie të veçantë. Përmes tij u vunë themelet e gjuhës shqipe si element kyç i identitetit kombëtar, falë njëjësimit të alfabetit të gjuhës shqipe.

Delegatët e Kongresit vendosën që gjuha shqipe të mos shkruhej me shkronja arabe apo greke, por me alfabetin latin me 36 shkronja, të përdorur ende sot. Vendimet e marra në këtë kongres ndihmuan në lëvrimin e mëtejshëm të gjuhës shqipe, në konsolidimin e unitetit kombëtar dhe në bashkimin politik të popullit shqiptar.

Mbajtjen e punimeve të Kongresit të Manastirit, Banka e Shqipërisë e përkujtoi në vitin 2013 përmes dy monedhave numizmatike pa kurs ligjor, me tematikë “105-vjetori i Kongresit të Manastirit”.

Banka e Shqipërisë publikoi sot në rrjete sociale foto të dy monedhave numizmatike pa kurs ligjor me tematikë “105-vjetori i Kongresit të Manastirit”, teksa njoftoi se, ato gjenden në shitje në dyqanin e Muzeut të Bankës së Shqipërisë.

FOTO/ Kongresi i Manastirit në dy monedha numizmatike