SOT, NË DATËLINDJEN E MJESHTRIT TË SHQIPES! Ndre Mjeda, poeti e njeriu që punoi për gjuhën dhe kulturën shqiptare

Më 20 nëntor të vitit 1866, lindi në Shkodër, Ndre Mjeda, klerik e atdhetar i shquar, poet dhe aktivist i Rilindjes Kombëtare.

Në një postim në rrjetet sociale, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, shkroi sot për Mjedën se, ai ishte pena e ndritur e Rilindjes Kombëtare, që përjetësoi në vargjet e tij shpirtin shqiptar, dashurinë për atdheun dhe përkushtimin për gjuhën shqipe.

Si i ri me intelekt të zhvilluar dhe tejet i talentuar, Mjeda tërhoqi që herët vëmendjen e jezuitëve, të cilët menduan ta bënin prift.

Mjeda i vazhdoi studimet fetare në Spanjë, Itali e Poloni. Më 1883 studioi në Kroaci retorikë, latinisht dhe italisht. Nga viti 1884 deri në fillim të vitit 1887 ishte në një kolegj që drejtohej nga Universiteti Gregorian i Romës, kurse më 1887 u transferua në një kolegj tjetër gregorian në Kieri.

Më 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit, bashkë me At Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, Hilë Mosin dhe Mati Logorecin, si përfaqësues i Shkodrës dhe mbështeti variantin e shkronjave latine. U zgjodh anëtar i Komisionit për Hartimin e Alfabetit të Njësuar të Shqipes dhe anëtar i Komisisë Letrare Shqipe.

Në periudhën e hovit të lëvizjes demokratike, Ndre Mjeda mori pjesë në jetën politike të kohës dhe u zgjodh deputet. Pas ndryshimeve politike në vitin 1924 u tërhoq nga jeta politike dhe punoi si prift i thjeshtë në Kukël. Nga viti 1930 qe mësues i gjuhës dhe letërsisë shqiptare në kolegjin jezuit në Shkodër, ku edhe vdiq më 1 gusht të 1937.