Debatet për buxhetin 2025, Niko Peleshi: Retorika e opozitës pa ngjyrë, pa vizion dhe pa përmbajtje
Ministri Niko Peleshi foli sot në Kuvend për debatet që po bëhen lidhur me buxhetin 2025, që pritet të miratohet sot në Kuvend. Ministri tha se retorika e opozitës e cila kundërshton buxhetin është pa ngjyra, pa vizion dhe pa përmbajtje. Gjithashtu ai pranoi se gjithmonë ka vend për me mirë, por sipas tij mohimi i treguesve buxhetor dhe ekonomik edhe kur ata janë të certifikuar nga institucione ndërkombëtare, nuk është opozitë. Më tej Peleshi tha se ka dëgjuar vetëm një deputetë të opozitës i cili ofroi idenë e vetë për skemën e pensioneve, e cila duhet marrë në konsideratë.
"Ne jemi të vetëdijshëm që opozita nuk është këtu për të mbështetur buxhetin, por nxirja e gjithçkaje, mohimi i treguesve buxhetor dhe ekonomik edhe kur janë të certifikuar nga institucione ndërkombëtare me të cilat punojmë nuk është opozitë. Ka gjithmonë vend për të bërë më mirë , ndaj dhe opozita e ka shumë të gjerë fushën e alternativave të saj. Unë dëgjova vetëm 1 deputetë të opozitës sot i cili ofroi idenë e vetë për skemën e pensioneve, e cila për mua duhet marrë në konsideratë.
Pjesa tjetër ishte nihilizëm politik. Ky nihilizëm e bëri retoriken e opozitës pa ngjyrë pa vizion pa përmbajtje. Dëgjova të thonë se buxheti nuk ka narrativë nuk ka vizion. Por vizioni në këtë buxhet është i qartë.Më lejoni të përulem me shumë respekt para fjalimit më të bukur dhe të saktë sot, që ishte fjalimi i zonjës Bozo mbi kërkimin shkencor dhe rolin e shkencës në ekonomi. Nxitja e inovacionit kemi një ligj, kemi shpërndarë 3 milionë euro për 100 start up në vendin tonë," tha Peleshi.
