Pr/buxheti 2025, Mazniku: Digjitalizim të shërbimeve vendore dhe grant bazuar në performancë

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku deklaroi sot se, buxheti për pushtetin vendor është vlerësuar në 89.8 miliardë lekë.

Në fjalën e tij në seancën plenare në Kuvend ku po diskutohet pr/buxheti 2025, Mazniku u shpreh se, “viti 2024 shënon dhjetë vite nga reforma e rëndësishme territoriale e realizuar në 2014, që transformoi se si funksionon pushteti vendor dhe specifikisht edhe me buxhetin”.

“Sa herë bëjmë buxhetin, që është dhe ai që alokohet për pushtetin vendor. Është një vlerësim që lidhet drejtpërdrejt me problemet e vogla të qytetarëve në komunitetin e tyre”, tha ai.

Mazniku u shpreh se, “buxheti për pushtetin vendor është vlerësuar në 89.8 miliardë lekë, ose 898 milionë euro, me një rritje prej 13.2% në raport me atë të vitit 2024. Po të bëjmë krahasim me atë të vitit 2014, para reformës, në atë kohë ishte 2.3% e PBB, sot jemi në nivelin e 3.43%, pra çdo 100 lekë që prodhon ekonomia shqiptare, 3.43 lekë i shkojnë politikave bashkiake. Sot pra jemi 50% më shumë shpenzime nga buxheti për bashkitë”.

Mazniku u shpreh se totali i transfertës i kushtëzuar dhe i pa kushtëzuar, që jepet nga buxheti i shtetit për Bashkitë, shkon në 43.1 miliardë lekë, 17.1% më i lartë se ai i vitit që shkoj.

“Paratë që shkojnë nga buxheti drejt bashkive, është tregues i qartë që për qeverinë shqiptare, pushteti vendor është trajtuar si një prioritet. Sasia e parave është më e madhe sesa rritja ekonomike dhe ajo e buxhetit”, theksoi ai.

Mazniku shtoi se, të ardhurat e bashkive janë 10% më të larta se në vitin 2024.

“Të ardhurat e bashkive janë 3.6 herë, ose 360% më të larta se në vitin 2014, para reformës; nga 13.1 mld, në 34.9 mld”, u shpreh ai.

Sa i takon detyrimeve të prapambetura, Mazniku u shpreh se, “bashkitë kanë patur 12.1 miliardë lekë detyrime të prapambetura ndaj palëve të treta, sot kanë 4.9 miliardë lekë, 3 herë më pak.

“Në vitin 2015 detyrimet ishin 92% të të ardhurave të veta të bashkive. Pra bashkitë kishin detyrime ndaj të tretëve 92% të volumit të të ardhurave të veta. Sot 14%. Tregues i qartë i fuqizimit nga ana financiare e bashkive”, tha ai.

Sa i takon shpenzimeve, Mazniku u shpreh se, investimet për frymë kanë shkuar nga 3,773 lekë në 2014 në 6,724 lekë, ose rritje prej 78%, para të investuara.

“U debatua jo pak herë për pagat. Në vitin 2015, 70% e parave që bashkitë shpenzonin shkonin për paga. Sot vetëm 51% shkojnë për pagat”, tha ai.

Mazniku foli edhe për angazhimet me partnerët tanë për pushtetin vendor.

“Me qeverinë zvicerane do të krijojmë Akademinë e Pushtetit Vendor, që do të trajnojë bashkitë për funksionet e tyre në çështje si financë, ligj, urbanistikë, apo çështje sociale”, tha Mazniku.

Po ashtu, shtoi ministri, “po punojmë me BE për fuqizimin e njësive vendore të integrimit të BE. Secila bashki ka një njësi të posaçme të integrimit të BE”.

Mazniku u shpreh se, “ashtu siç e bëmë para pak ditësh do të vijojë raportimi periodik për performancën. Bashkë me buxhetin e shtetit shqiptar, por edhe me mbështetjen e qeverisë zvicerane dhe suedeze krijojmë grantin e bazuar në treguesit e performacës në bashkitë, si mekanizëm që bashkitë të kenë tregues performance dhe të marrin të ardhura më shumë në bazë të këtyre të ardhurave”.

Ministri u shpreh se do të nisë me Bankën Botërore, programi i digjitalizimit të qeverisjes vendore.

“Siç është E-Albania që shërbimet publike qytetarët i marrin përmes telefonit, po ashtu dhe ato vendore të merren përmes telefonit”

Ai gjithashtu përmendi marrëveshjen mes Universitetit të Tiranës dhe Harvard për planet e zhvillimit të bashkive.