Shehu: Ky është një buxhet i fasadës dhe i korrupsionit

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu deklaroi sot se, sistemi shëndetësor shqiptar është më i varfri në Evropë.

Në fjalën e tij në seancën plenare në Kuvend ku po diskutohet pr/buxheti 2025, Shehu u shpreh se, “ky është buxheti i fundit populist që vjen në Shqipëri, i një të majte populiste të dështuar”.

“Ashtu siç ka dështuar kudo tashmë dhe po dështon në të gjithë botën. Ashtu siç rryma e re e të djathtës dhe konservatorizmit po përhapet. Të jeni të bindur që buxheti tjetër do të vijë në këtë parlament do të jetë realist, do të jetë i mbështetur mbi të vërtetën, do të jetë në funksion të qytetarëve”, tha ai.

Shehu theksoi se, ky buxhet vetëm në funksion të qytetarëve nuk është. “Ky është një buxhet i fasadës dhe i korrupsionit. Ky është elementi kryesor i buxhetit që ju keni”, tha deputeti demokrat.

Këtë, shtoi ai, e demonstron më mirë se çdo gjë tjetër, sektori i shëndetësisë.

“Në këto premtime që erdhët në 2013-ën ju deklaruat shëndetësi falas. Sot jemi në nocionin dhe elementin në shëndetësi ose paguaj ose vdis, po nuk pagove je i destinuar të vdesësh”, tha ai.

“Sistemi shëndetësor shqiptar”, nënvizoi ai, “është më i varfri në Evropë”.

“Nuk matet me vlerën absolute me 2013-ën, se duhet ta masim pastaj me 1938-ën, por matet në funksion të prodhimit bruto dhe sot ka 2%, flas për shëndetësinë, jo për mbrojtjen sociale, 2% të GDP-së, plus 0.8% që vijnë nga kontribute direkte, pra jo nga buxheti. Është tjetër gjë dhe normalisht nuk duhet të llogaritet në buxhet, por e llogarisim dhe shkon 2.85% të GDP, që ka afërsisht 9% të buxhetit”.

Ndërkohë, shtoi ai, “rekomandimi i OBSH-së për vende si i yni është që buxheti nuk mund të jetë nën 4% të prodhimit bruto dhe jo nën 12% të buxhetit për të qenë minimalisht i pajtueshëm me nevojat e një popullate si ne”, tha ai.

Pra shtoi ai, “ne jemi vendi më i varfër në Evropë. Hapni të gjithë indekset, shikoni të gjitha vendet evropiane dhe do të shikoni që Shqipëria në shëndetësi është vendi më i varfër në Evropë”.

Por, u shpreh Shehu, përveç se vendi më i varfër, sistemi shëndetësor shqiptar është dhe sektori më antisocial në Evropë.

“Farmaceutika e hapur importon çdo vit rreth 230 milionë euro medikamente. Ky është importi që ka farmaceutika e hapur. Ju rimbursoni rreth 120 milionë euro medikamente, pra afërisht pak më shumë se 50% e saj. Në Evropë, në BE, në Evropën e qytetëruar rimbursimi nuk mund të jetë nën 90%”, tha ai.