Vrasja e 14-vjeçarit/ Manastirliu: Policia po zbardh ngjarjen, duhet të reflektojmë dhe të jemi shembull!
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu shprehu sot në Kuvend tronditjen e thellë nga humbja tragjike e një 14-vjeçari jashtë ambienteve të shkollës “Fan Noli”, të cilën e cilësoi një jetë të re të humbur në mënyrë të parakohshme dhe tragjike.
Në seancën plenare të Kuvendit përpara se të prezantonte buxhetin 2025 për arsimin dhe sportin, Manastirliu u parapri nga deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa e cila e nisi fjalën e saj me këtë ngjarje dhe kërkoi dorëheqjen e ministres Manastirliu.
“Një 14-vjeçar vritet në mes të Tiranës, në 30 tetor ishte një tjetër. Ky është rezultat i punës tënde të mrekullueshme dhe këtij buxheti. Ju i çoni paratë për koncesione e PPP dhe jo për punonjës socialë dhe psikologë në shkolla që të punojnë për të shmangur këto konflikte apo punonjës të sigurisë që ambientet e shkollave të mos kthehen në ambientet e vrasjes së fëmijëve tanë”, theksoi Zhupa.
Deputetja Zhupa u shpreh se “kërkoj nga ju që të largoheni dhe të jepni dorëheqjen, për këtë buxhet, për këtë propagandë dhe ju duhet të merrni përgjegjësi bashkë me ministrin e Brendshëm që nuk ka ardhur fare në Kuvend sot”. “Zonja Manastirliu jepni dorëheqjen, ikni me turp!”, përfundoi Zhupa
Pas Zhupës, Manastirliu e nisi shpjegimin e projektbuxhetit duke u ndalur tek ngjarja për të cilën tha se policia po zbardh rrethanat.
“Dhimbja është vërtet e madhe e prindërve, mësuesve, dhimbja e komunitetit e jona, e imja personale. Është një ngjarje nga e cila duhet që të reflektojmë e para na fton që si përfaqësues të qytetarëve këtu në këtë sallë të angazhohemi edhe më shumë për një mjedis më të sigurt dhe më të mbrojtur për fëmijët tanë. Të forcojmë edhe më shumë mekanizmat e parandalimit dhe ndërhyrjes së shpejtë duke luftuar në çdo formë dhunën e të gjitha formave, por nga ana tjetër edhe ne kemi rolin tonë në këtë seancë dhe këto seanca të cilat ne mbajmë”, nënvizoi Manastirliu.
Ministrja Manastirliu u shpreh se “e para duhet të jemi shembull të promovojmë vlerat e respektit për njëri-tjetrin, të mos ketë më gjuhë urrejtje duke filluar nga kjo sallë se ne jemi edhe modeli për fëmijët tanë. Çdo fëmijë në Shqipëri është fëmija ynë është detyra jonë e përbashkët të kujdesemi”.
“Sot padyshim është një ditë e dhimbshme për ne”, tha Manastirliu.
Policia e Shtetit njoftoi sot se “rreth orës 13:10, në rrugën “Qema Stafa”, rreth 200-300 metra larg shkollës “Fan Noli” janë konfliktuar 3 shtetas të moshës 14 vjeç. Si pasojë e dëmtimeve të marra gjatë konfliktit, ka ndërruar jetë njëri prej tyre ndërsa tjetri ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve”.
“Është shoqëruar njëri nga autorët e dyshuar, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave të konfliktit”, theksohet në njoftimin e policisë.
