Manastirliu: Rritje me 18.8 % e buxhetit, mbështetje me paga dhe zhvillim profesional mësuesve

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu deklaroi sot se “buxheti 2025 për MAS është në shifrën 62.2 miliardë lekë, ose me një rritje 18.8 %, krahasuar me vitin 2024″.

Në fjalën e saj teksa prezantoi projektbuxhetin 2025 në Kuvend, Manastirliu tha se “buxheti që ne prezantojmë për 2025 është shëmbëlltyrë e vizonit tonë për këta sektorë që ka për qëllim fuqizimin e sistemit të arsimit, mbështetjen për mësuesit, rritjen e aftësive dhe mundësive për nxënësit, për përmirësimin e infrastrukturës së shkollave tona financimin e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, mbështetjen studentore dhe zhvillimin e mëtejshëm të sportit në vend”.

“Sot kanë rëndësi që të dëgjojnë qytetarët sepse ky buxhet përfaqëson përkushtimin tonë ndaj mësuesve, nxënësve e pedagogëve e studentëve për zhvillimin e mëtejshëm të kapitalit njerëzor. Buxheti 2025 për MAS kap vlerën 62 miliardë lekë ose 18.8% më shumë se buxheti fillestar i 2024. Plus 100 milionë euro më shumë për arsimin për vitin 2025, kjo është e vërteta këto janë faktet. 10.84% e shpenzimeve të buxhetit të shtetit shkon për arsimin, 3.34% e Prodhimit të Brendshëm Bruto duke përfshirë arsimin profesional kontributet e pushtetit lokal në vlerë totale 89 miliardë lekë për 2025″, theksoi Manastirliu.

Manastirliu u shpreh se “në zemër të këtij projektbuxheti qëndron përmirësimi i vendeve të punës, rritja e motivimit dhe dinjitetit për mësuesit duke i mbështetur me paga dhe mundësi për zhvillim profesional”.

“Për ne mësuesit janë baza që cilësia në arsim dhe puna e tyre meriton vlerësim të vazhdueshëm dhe do të vijojmë ta bëjmë do të rrisim pagat për mësuesit. Ky buxhet mbështet me rreth  9 miliardë lekë politikën e re të pagave që u bë efektive në korrik të 2024 dhe që e çoi pagën mesatare për mësuesit në masën 950 euro duke mbështetur 2100 mësues ndihmës që kujdesen për fëmijët me aftësi speciale”, tha Manastirliu.