NJU DELHI – Mbyllen shkollat pasi ndotja mjedisore është 50 herë mbi normë
Një re gjigante smogu ka mbështjell kryeqytetin e Indisë, Nju Delhi, ku niveli i ndotjes së regjistruar tejkalon kufijtë e rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) me 50 herë, veçanërisht në lidhje me grimcat e imëta, shkruan corriere.it.
Lajmi u bë i ditur nga kompania IQAir, e cila kreu matjet mjedisore. Autoritetet e metropolit, që përfshin rreth 30 milionë banorë së bashku me rrethinat e tij, kanë vendosur të mbyllin shkollat me mësime në distancë, me përjashtim të shkollave të mesme.
Pushteti vendor u ka bërë thirrje njerëzve – veçanërisht të moshuarve dhe të pambrojturve – të qëndrojnë sa më shumë në shtëpi.
Indeksi i nivelit të ndotjes në orën 08:00, sipas CPCB (Bordi Qendror i Kontrollit të Ndotjes), u rrit në 484 AQI, shifra më e keqe në të gjithë Indinë sot dhe më e larta e të gjitha kohërave për vitin 2024.
Urgjenca ka bërë që autoritetet të shpallin masa edhe më të rënda me efekt të menjëhershëm krahasuar me fundjavën: përveç mbylljes së të gjitha shkollave deri në dy vitet e fundit të gjimnazit, ndalimin e hyrjes në territorin e kryeqytetit për të gjithë kamionët, me përjashtim të atyre që transportojnë mallra esenciale dhe ato elektrike.
Gjithashtu janë pezulluar të gjitha kantieret, pasi ndalimi shtrihet nga ndërtimet private në të gjitha kantieret publike të ndërtesave, rrugëve, urave, kalimeve të ngritura, tubacioneve dhe punimeve për instalimin e linjave të reja të energjisë elektrike.
