G20 mblidhet për të diskutuar luftërat, klimën dhe rikthimin e Trump
Udhëheqësit e G20 do të mblidhen sot në një samit në Brazil – për të rindezur bisedimet e bllokuara për klimën dhe për të kapërcyer mosmarrëveshjet e tyre në Lindjen e Mesme dhe luftërat në Ukrainë – përpara kthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti i SHBA-se Joe Biden do të marrë pjesë në samitin e tij të fundit të ekonomive kryesore të botës. Presidenti i krahut të majtë të Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva pritet të diskutojë luftën ndaj urisë dhe ndryshimeve klimatike dhe taksat të pasurve.
Por, luftërat që kanë ndarë ashpër anëtarët e G20-ës do të shfaqen gjithashtu në mënyrë të dukshme gjatë diskutimeve. Një burim i Ministrisë së Jashtme braziliane tha sot se disa vende donin të rinegocionin një draft komunikatë të samitit.
Vendimi i Biden për të lejuar Ukrainën të përdorë raketa amerikane me rreze të gjatë veprimi për të goditur objektivat brenda Rusisë – një ndryshim i madh i politikës – mund t’i nxisë aleatët evropianë të rishikojnë gjithashtu qëndrimin e tyre.
Udhëheqësit e G20 janë gjithashtu nën presion për të çuar përpara bisedimet e OKB-së për klimën në Azerbajxhan, të cilat kanë ngecur në çështjen e financimit më të madh të klimës për vendet në zhvillim.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres u ka bërë thirrje anëtarëve të G20, të tregojnë “lidership” për të lehtësuar marrëveshjen.
