Celibashi: Me rëndësi të ketë aspekt rregullator për mbulimin mediatik të procesit zgjedhor
Në Tiranë u zhvillua sot tryeza e organizuar nga OSBE dhe KQZ “Zgjedhjet 2025: Roli i medias në procesin zgjedhor – sfida dhe mundësi”.
Kjo tryezë u zhvillua në kuadër të projektit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri “Mbështetje për reformën dhe procesin zgjedhor në Shqipëri”, i cili financohet nga Suedia, Zvicra, misioni i SHBA-ve në OSBE dhe Polonia.
Në tryezë morën pjesë ambasadori i OSBE-së, Michel Tarran, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, përfaqësues organizatave të shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare të përfshira në zgjedhje, etj.
Kreu i KQZ-së Celibashi theksoi se “media ka një rol të dyfishtë, nga njëra anë është në rolin e saj klasik atë të informimit të mbikëqyrjes së zhvillimit të procesit, por nga ana tjetër ka si rol të saj po kaq edhe kryesor edhe informimin dhe edukimin e votuesve dhe nxitjen e tyre për të qenë pjesëmarrës në procesin zgjedhor apo në përgjithësi në proceset politike”.
“Me këtë rast ka rëndësi të thuhet se media do të duhet në përmbushje të këtij qëllimi ose këtij funksionaliteti të dyfishtë të karakterizohet nga dy tipare themelore, e para nga profesionalizmi dhe e dyta nga pavarësia dhe nga paanësia.
Janë themelore në përgjithësi për rolin e medias dhe për veprimin e medias të dyja këto karakteristika qoftë profesionalizmi dhe paanësia dhe pavarësia, por bëhen më të rëndësishme kur vjen puna tek procesi zgjedhor”, nënvizoi Celibashi.
Celbashi u shpreh se “ka një sërë mekanizmash, të cilat e sigurojnë ose do të duhet ta sigurojnë pasjen e këtyre dy karakteristikave për median. Por më së pari nëse ky nuk është proces i vetërregulluar nëse media vetë nuk e ka këtë qasje mendoj se është me rëndësi që të ketë një aspekt rregullator”.
Por, shtoi ai, kur flasim tek nevoja për ta rregulluar gjithmonë qëndron frika dhe dilema nëse mos shkojmë në një tejrregulliim të sjelljes së medias apo veprimtarisë së medias.
“Ndaj ngelet gjithmonë e diskutueshme balanca që do të duhet të vendosim ndërmjet nevojës për të rregulluar veprimtarinë e medias deri në një masë të caktuar dhe nevojës për ta lënë median të lirë në ushtrimin e funksioneve dhe përgjegjësive të saj”, theksoi Celibashi.
Gjithsesi, vijoi Celibashi, mbetet e rëndësishme që në çdo rast media të jetë e tillë që për çfarëdo lloj arsyeje objektive apo subjektive të mos jetë në pozitën që do të duhet të thotë ndryshe nga ajo çfarë ajo shikon dhe verifikon dhe të mos promovojë atë se çfarë nuk duhet ta promovojë.
Të dyja këto lidhen me pasjen e një media profesionale dhe të paanshme dhe të pavarurur”.
“KQZ do të duhet ta them edhe në mungesë të modestisë që ka një raport të shkëlqyer me median në përgjithësi dhe kjo jo për arsye pragmatiste për të dalë mirë, por kemi kuptuar që është shumë e rëndësishme që çfarë ne bëjmë të pasqyrohet plotësisht për sytë e veshët e opinionit publik”, tha Celibashi.
