Për kë ishin "kambanat" e djeshme të SPAK-ut? Kush janë emrat e tjerë në dosjen e inceneratorit të Tiranës?
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dorëzuar për gjykim një dosje penale ndaj ish-deputetit socialist Alqi Bllakos.
Zyrtarisht SPAK-u e akuzon Bllakon për korrupsion në dy raste që lidhen me aferën e inceneratorit të Tiranës. Hetimet tregojnë se ish-deputeti socialist ka përfituar në mënyrë të parregullt vetëm 119,715 euro për biznesin e babait dhe një pagesë prej 7,520,000 lekësh për të siguruar një pozicion këshillimi për një bashkëpunëtor, duke përfituar nga pozita e tij në Ministrinë e Mjedisit, ndërkohë që opozita flet për shifra marramendëse të korrupsionit me këtë aferë që shkon vetëm qindra milionë euro nga incineratori i Tiranës.
Por çfarë paralajmëroi dje SPAK-u?
Dhe nisur nga ky krahasim shifrash, Bllako duket se është i pamjaftueshëm për të justifikuar shifrat që nuk përkojnë me akuzat apo pretendimet e opozitës.
Ndaj duket se edhe SPAK është kujdesur të sqaronte dje në njoftimin e tij se hetimi po zhvillohet në mënyrë të kujdesshme, pasi nisur dhe nga akuzat e opozoitës krimi me incineratorin e Tiranës përfshin disa nga pozicionet më të larta në hierarkinë shtetërore.
Dhe këtë e pohoi dje edhe vetë SPAK-u në njoftimin e tij.
“Prokuroria e Posaçme po kryen hetime të tjera në kuadër të procedimit penal nr.255 të vitit 2020, për të gjithë subjektet e regjistruar në kuadër të këtij hetimi (individë dhe persona juridik), për të evidentuar çdo fakt penal tjetër, veprimet e personave përgjegjës të institucioneve shtetërore që kanë marrë pjesë si para dhe gjatë procedurës së dhënies së koncesionit, si dhe gjatë zbatimit të kontratës koncesionare”, theksoi dje SPAK-u.
Pra i lexuar me kujdes ky paragraf i fundit, duket se listës së personave që duhet të jenë prapa hekurave i mungojnë të tjerë zyrtarë si qeverisë vendore, ashtu edhe asaj vendore, që në këtë rast është Bashkia e Tiranës, institucioni i drejtuar nga Erion Veliaj.
Dhe ky i fundit, sipas opozitës, është “pronari faktik” i këtij incineratori që po sipas opozitës, “nuk ekziston”.
Gjatë kësaj kohe opozita ka ngritur akuza konkrete ndërsa ka deklaruar se në dosje ka emra të tjerë, shumë më të rëndësishëm se Bllako.
Përveç ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, është edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, që akuzohet se ka firmosur financimin e incineratorit pa pyetur Këshillin Bashkiak.
Në dosje përmendet edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi, që, sërish akuzohet nga opozita se ka firmosur për bonusin 8% të kompanisë së Klodian Zotos, kur kjo kompani ende nuk ishte krijuar.
PO ashtu, opozita nuk ka kursyer nga akuzat edhe vetë kryeministrin Edi Rama, si "kreun e grupit të strukturuar kriminal".
Ndaj Lefter Kokës dhe Alqi Bllakos janë dhënë dy dënime të tjera për inceneratorët e Elbasanit dhe të Fierit.
Mbetet për t’u parë nëse prokurorët do të ndalen tek të njëjtët persona edhe për inceneratorin e Tiranës duke ia lënë fajin ish-ministrit dhe sekretarit të tij, që “ka vjedhur” vetëm 120 mijë euro, apo kambanat e djeshme po bien për kupolën drejtuese të vendit.
KRONIKA E HETIMEVE TE SPAK NDAJ ALQI BLLAKOS


