AKSK takim me komunitetin LGBTQ+, në fokus krijimi i një mjedisi të sigurt online

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike në kuadër të përpjekjeve për ndërtimin e një mjedisi të sigurt dhe gjithëpërfshirës online, u zhvillua një takim me përfaqësues të komunitetit LGBTQ+.

Qëllimi kryesor i takimit ishte adresimi i sfidave me të cilat përballen dhe inkurajimi i raportimit të rasteve që cenojnë sigurinë e tyre online.

Në një postim në rrjetet sociale, AKSK bën të ditur se “takimi shërbeu për ndarjen e praktikave më të mira për mbrojtjen individuale dhe për të theksuar rëndësinë e krijimit të një ekosistemi mbështetës për të gjithë.”

“Ky projekt, pjesë e një nisme afatgjatë, pritet të vazhdojë gjatë gjithë vitit 2025, me synimin për të garantuar një siguri të qëndrueshme dhe mbrojtje për çdo individ”, mbyll postimin AKSK.