Këmbim kriptomonedhash në ëmbëltore, larje tapetash e Exchange, ORA NEWS zbardh të gjithë emrat e proceduar për “Fshehje të ardhurash”
Një skemë mashtrimi e përhapur gjerësisht në Tiranë është goditur mëngjesin e sotëm nga Sektori kundër Krimit-Ekonomik pranë Policisë së Tiranës dhe prokurorisë së kryeqytetit.
Hetimet janë zhvilluar ndaj 20 personave, ku mëngjesin e sotëm disa prej tyre janë arrestuar nga policia, ndërsa 32 objekte janë kontrolluar.
Nga kontrollet e kryera në 32 ambiente, janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale: 13 pajisje kompjuterike, 27 celularë dhe rreth 750.000 euro, që dyshohet se i shërbenin kësaj veprimtarie të jashtëligjshme.
Gazetari i “Ora News” Elton Qyno ka mësuar emrat e të gjithë personave të proceduar nga policia dhe prokuroria e Tiranës.
Nga 20 masa sigurie të firmosura nga prokuroria e Tiranës, 6 janë për pronarë të pikave të këmbimit valuator që thyenin kriptomonedhat në ambientet e tyre, ndërkohë që një gjë e tillë nuk është e ligjshme. Personat e tjerë janë bashkëpunëtorët e tyre, ose individë që e reklamonin në rrjete sociale se bënin shkëmbim me kriptomonedha.
Gjatë periudhës hetimore është mundësuar dokumentimi me prova bindëse i kësaj veprimtarie kriminale që kryhej individualisht, duke përdorur si mjete komunikimi rrjetet sociale, si dhe nëpërmjet disa subjekteve ekonomike, në Tiranë dhe në Shkodër.
Në pranga ka përfunduar, Arlin Kajo, pronar i një biznesi për shërbime me qëllim larjen e tapetave dhe tapicerive në Tiranë. Hetimet kanë zbuluar se ky biznes shërbente si maskim, ndërsa në të njëjtat ambiente Arlin Kajo, sipas policisë kryente shkëmbimin e kriptomonedhave.
Të njëjtin aktivitet kryente dhe Lidra Leka, e cila ka të regjistruar një kompani të quajtur “Grandmas”, e cila shërben për prodhimin dhe tregtimin e ëmbëlsirave. Por policia thotë se në këto ambiente kryhej dhe këmbimi i kriptomonedhës.
Nën hetim janë vënë dhe emra të tjerë personash të përfshirë në aktivitetin e “Fshehjes së të ardhurave” dhe “Ushtrimit pa licencë të veprimtarisë financiare”.
Në prangat e policisë ka rënë Valentino Leka, Muhamed Saraçi, Piro Verdhi, i cili zotëron një lokal në Tiranë, Donaldo Demaj, që ka zyrën e këmbimit Valutor “Doni-Vorex”, Riduan Bajrami, Ridvan Nuhiji.
Po ashtu të proceduar nga policia e Tiranës janë shtetasit Nexhmedin Sali, i cili kishte hapur një biznes për shërbime konsultative për kompjuterat por në fakt ushtronte aktivitet të paligjshëm.
Gjithashtu në hetim janë vënë Aurora Bregu, Evis Sopi, Frederik Sinanaj, Aldi Ruli, Tedi Agastra, Arbëror Agastra, Spartak Gjoçi dhe Armando Gjoçi, Jonid Lazaj, Genci Sula, Diorian Dodaj, të cilët janë të dyshuar për “Ushtrim pa liçencsë të veprimtarive financiare” dhe “Fshehje të ardhurash”.
Emrat e personave të arrestuar
Arlin Kajo
Lidra Leka
Valentino Leka
Muhamed Saraçi
Piro Verdhi
Donaldo Demaj
Riduan Bajrami
Ridvan Nuhiji
Nexhmedin Sali
Aurora Bregu
Evis Sopi
Frederik Sinanaj
Aldi Ruli
Tedi Agastra
Arbëror Agasıra
Spartak Gjoçi
Armando Gjoçi
Jonid Lazaj
Genci Sula
Diorian Dodaj
