Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënon sjelljen e rojeve të FSHF-së ndaj gazetares së Ora News

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë shpreh shqetësimin për sjelljen e rojeve të sigurisë së FSHF-së ndaj gazetares së sportit në “Ora News” Vjosana Nozllaku, gjatë kohës që ajo po raportonte për ndeshjen Shqipëri-Çeku të shtunën në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.

Nga pamjet, duket qartë sjellja aspak normale e një personi të dyshuar si punonjës i FSHF-së ndaj gazetares që po raportonte live. Televizioni ka raportuar se ai është shefi i sigurisë.

Gjithashtu është raportuar se gazetarja Nozllaku nuk është lejuar që të bëjë pyetje në konferencën për shtyp të trajnerit të kombëtares, një pengim i qartë i punës së gazetarit.

Duke dënuar këtë akt, AGSH i bën thirrje Presidenti të FSHF, Armand Duka dhe Federatës që të japin udhëzime të qarta për sjelljen e çdo punonjësi me gazetarët dhe punonjësit e medias.

Ngjarje të tilla janë të papranueshme ndërsa ne kërkojmë që ato të mos përsëriten më në të ardhmen dhe gazetarët të raportojnë lirshëm në vendet e përcaktuara nga organet kompetente.