Vrojtimi i BSH-së, 94% e ndërmarrjeve e mbyllën 6-mujorin e parë me fitim

Mbi 94% e ndërmarrjeve e kanë mbyllur 6- mujorin e parë të këtij viti me fitim. Banka e Shqipërisë publikoi të dhënat e vrojtimit të ndërmarrjeve për gjashtëmujorin e parë 2024, që u realizua nëpërmjet një kampioni prej 1,355 ndërmarrjesh të madhësive të ndryshme, të shtrira gjeografikisht në të gjithë vendin dhe që kryejnë aktivitetin e tyre në sektorët kryesorë të ekonomisë.

Rezultatet e vrojtimit tregojnë që për shumicën e ndërmarrjeve, ecuria e shitjeve dhe e rezultatit financiar ka qenë pozitive gjatë periudhës.

Sipas vrojtimit, Mbi 94% e ndërmarrjeve kanë raportuar fitim gjatë periudhës. Pritshmëritë për gjashtëmujorin e ardhshëm  për nivelin e shitjeve  të  përgjithshme dhe rezultatin  financiar rezultojnë pozitive, dhe  më optimiste krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar, por duke mbetur në vlerat e një viti më parë.

Sinjalet vijojnë të jenë optimiste lidhur me zgjerimin e veprimtaris ë apo rritjen e investimeve,veçanërisht tek ndërmarrjete vogla dhe të mesme, por paraqesin ngushtim për grupin e ndërmarrjeve të mëdha.

Gjatë periudhës, rreth 57% e ndërmarrjeve kanë vijuar të financojnë veprimtarinë e tyre vetëm nëpërmjet shitjeve (rreth 66% e ndërmarrjeve të vogla, 57% e ndërmarrjeve të mesme dhe 54% e ndërmarrjeve të mëdha), duke shënuar rënie për të tre kategoritë e  ndërmarrjeve.

Ndërkohë, prirja e kombinimit të burimeve të financimit vijon të zërë një peshë të konsiderueshme për periudhën, duke u rritur krahasuar me periudhën e kaluar, për të tre grupet e ndërmarrjeve.